Gjëra të Mrekullueshme nga Fjala Jote
Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
Nevoja jonë e dëshpëruar për ndriçimin e Perëndisë
Tre pikat që pamë në këtë varg javën e fundit ishin: 1) në Fjalën e Perëndisë ka gjëra të mrekullueshme; 2) askush nuk mund t'i shohë këto gjëra të mrekullueshme si janë në të vërtetë pa ndihmën e mbinatyrshme të Perëndisë; dhe 3) prandaj ne duhet t'i lutemi Perëndisë për ndriçim të mbinatyrshëm kur lexojmë Biblën.
Prandaj theksi javën e kaluar ishte tek lutja dhe nevoja jonë e dëshpëruar për ndiçimin e mbinatyrshëm të Perëndisë në mënyrë që të shohim gjërat frymërore – të shohim lavdinë, bukurinë dhe përsosmërinë e Perëndisë. Kur vjen tek Fjala e Perëndisë mund të shohësh shumë gjëra edhe nëse Perëndia nuk ua hap sytë e zemrës suaj. Ju mund të shihni fjalët dhe strukturën gramatike. Mund të dalloni lidhjet logjike. Mund të dalloni faktet historike. Mund të dalloni qëllimin racional të autorit. Mund të dalloni disa emocione njerëzore.
Asnjë prej këtyre nuk kërkon që Perëndia të hapë sytë tuaj në një mënyrë të veçantë frymërore. Por ajo që nuk mund të shihni është bukuria frymërore e Perëndisë dhe Birit të tij si dhe puna e tyre në botë. Ju nuk mund të shihni se Perëndia është pafundësisht më i dëshirueshëm se gjithçka tjetër. Një i verbër nuk mund ta shohë diellin, edhe pse mund të dijë shumë fakte rreth diellit dhe të kalojë testin e astronomisë me një notë më të lartë se një person që mund ta shohë diellin. Dija rreth diçkaje dhe njohja me shikim nuk janë e njëjta gjë. Dija se mjalti është i ëmbël dhe shijimi i tij nuk janë e njëjta gjë.
Më lejoni të lexoj edhe një herë përshkrimin e plotë të Palit për gjëndjen tonë veçmas ndiçimit të veçantë dhe shpëtues të Perëndisë. Tek Efesianëve 4:17b-18 Pali përmend pesë karakteristika të tmerrshme të gjëndjes njerëzore të cilat kërkojnë domosdoshmërisht ndërhyrjen hyjnore nëse duam të shohim realitetin frymëror. Ai thotë se johebrenjtë (me fjalë të tjera, bota e zakonshme e njerëzve mes kombeve, veçmas hirit) jetojnë “në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.” Nëse lexojmë nga fundi mund të themi që në të gjithë ne, veçmazi hirit të madhërishëm të Perëndisë, ka një ngurtësi zemre që na çon në padije, e cila na çon në shkëputje nga Perëndia, që çon në errësirë, që çon tek kotësia e mendjes dhe jetës.
Prandaj pika kryesore e javës së fundit ishte, nëse ka ndonjë shpresë që ne të shohim gjërat e mrekullueshme në Fjalën e Perëndisë, duhet të na jepet një kapacitet hyjnor, i mbinatyrshëm nga Perëndia të cilin nuk e kemi nga natyra. Prandaj për këtë duhet të lutemi - “Hapi sytë e mi.” Nëse do të jemi të gjallë në Perëndinë, të jemi realë, të vërtetë dhe të qëllimshëm në dashurinë tonë për të, duhet të jemi në një gjëndje të dëshpëruar për ta patur këtë aftësim çdo ditë. Prandaj lutuni, lutuni, lutuni. Lexoni Psalmin 119 dhe shihni sa shumë herë lutet psalmisti për ndihmë hyjnore në njohjen e Perëndisë dhe udhëve të tij.
Soditja është Transformim
Sot kam për të përcjellë një pikë tjetër. Por para se t'ju them cila është kjo, le të sigurohem që ta kuptoni pse kjo është e rëndësishme. Është e rëndësishme për shkak se transformimi ynë në shembëlltyrën e Jezuit ndodh ndërsa shohim bukurinë, vlerën dhe shkëlqesinë e Perëndisë dhe Birit të tij, ndërsa shohim fjalët dhe udhët e tyre. Tek 2 Korintasve 3:18 Pali thotë, “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.” Soditja është transformim.
Kjo është e vetmja mënyrë e Krishterë për të ndryshuar sjelljen në mënyrë që të nderojë Perëndinë. Ne ndryshojmë për shkak se kemi parë një bukuri, vlerë dhe shkëlqesi superiore. Nëse shihni në fytyrën e Krishtit dhe pastaj të shihni revistat Sporti i Ilustruar apo Glamour dhe nuk prekeni prej bukurisë, vlerës, shkëlqyeshmërisë dhë dëshirueshmërisë superiore të Krishtit, atëherë jeni ende të ngurtë, të verbër dhe të kotë në mendimet tuaja. Ju keni nevojë të thërrisni. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd!” Jeta juaj ka për ta treguar këtë gjë. Atje ku është thesari, dëshira, bukuria juaj atje do të jetë gjithashtu edhe zemra juaj, mbrëmjet, të shtunat dhe paraja juaj. Ne ndryshohemi përmes soditjes së lavdisë së Perëndisë në Fjalën e Tij. Nëse Perëndia nuk është më i lavdishëm për ju dhe më tërheqës se lavdia dhe llustrat e botës, atëherë nuk e keni parë atë. 3 Gjoni 11 thotë, “Ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë” (shih gjithashtu 1 Gjoni 3:6).
Prandaj e gjithë kjo është e rëndësishme për shkak se gjithë ndryshimi i vërtetë i jetës që e nderon Perëndinë dhe ka një vlerë frymërore në vetvete vjen prej soditjes së lavdisë së Perëndisë dhe jo prej krijimit të listave fetare për sjelljen dhe pastaj të përpiqesh t'i kopjosh ato.
Perëndia e Zbulon Bukurinë e Krishtit Përmes Fjalës së Tij
Ideja e sotme nga teksti është kjo: Perëndia e tregon bukurinë dhe shkëlqesinë e Krishtit vetëm ndaj atyre që soditin Fjalën e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse ndryshimi i vërtetë frymëror vjen prej leximit, meditimit dhe mësimit përmendësh të Biblës. Nuk ndodh për shkak se ju mësoni rregulla të cilave t'u bindeni. Por për shkak se ky është vendi ku Zoti zbulon bukurinë dhe shkëlqesinë e Krishtit.
Më lejoni ta theksoj pak më tepër. Le të themi se dëgjuat mesazhin e javës së shkuar, që duhet të shohim lavdinë e Perëndisë për t'u ndryshuar, por ne nuk mund ta shohim atë për shkak se jemi të vdekur, të ngurtësuar dhe të verbër, prandaj duhet t'i lutemi Perëndisë për të na ngjallur, për të na zbutur dhe për të hapur sytë tanë.
Le të supozojmë se arrini në konkluzionin: Epo, duhet t'ia kushtoj veten lutjes dhe jo leximit, studimit apo mësimit përmendësh të Biblës për shkak se shikimi dhe arsyetimi thjesht njerëzor nuk mund ta shohin atë që duhet parë. Ky do të ishte një konkluzion i tmerrshëm për t'u nxjerrë nga ajo që kam thënë dhe nga vetë teksti. Ideja është kjo, Perëndia hap sytë e të verbërve për të parë lavdinë e Perëndisë në Fjalën e tij ndërsa ata shohin Fjalën. Le të themi se dëshironi të shihni lavdinë e Kanionit të Madh, por jeni të verbër. Imagjinoni sikur Perëndia t'ju thoshte, më kërko mua, eja dhe mu lut mua dhe unë do të t'i hap sytë për të parë lavdinë e Kanionit të Madh. A do të shkonit nga Arizona në Florida për t'u lutur? A do të përdornit çdo muskul dhe shqisë që Perëndia ju ka dhënë për të arritur tek Kanioni i Madh, të hidhni vështrimin drejt asaj që Perëndia ju ka premtuar? Ajo që po them është, Ai nuk do t'jua tregojë lavdinë e Kanionit të Madh nëse këmbëngulni të jetoni aty ku jeni s'ka rëndësi sa shumë luteni.
Ja t'jua them në një mënyrë tjetër. Perëndia ka caktuar që puna e hapjes së syve nga Fryma e tij të kombinohet gjithmonë me punën informuese të mendjes të Fjalës së tij. Synimi i tij është që të shohim lavdinë e Birit të Tij (dhe të ndryshohemi). Kështu që ai na i hap sytë ndërsa shohim Birin – jo tek telenovelat dhe shitjet. Puna e Frymës dhe e Fjalës gjithmonë shkojnë së bashku në udhën e Perëndisë për vetëzbulim të vërtetë frymëror. Puna e Frymës është të tregojë lavdinë, bukurinë dhe vlerën e asaj që mendja sheh tek Fjala.
Nuk duhet të bëjmë gabimin të mendojmë se ajo që kemi nevojë nga Fryma e Perëndisë është ndonjë informacion i ri. Tashmë kemi një mijë herë më tepër informacion rreth Perëndisë në Bibël nga ç'mund të kapim apo gëzojmë. Ajo ç'ka kemi nevojë është të shohim me sytë e zemrës! Asnjë shtesë informacioni përmes Frymës sipër asaj që mund të shohim për Krishtin tek Fjala nuk do të na bëjë asnjë thërrime më tepër frymërorë apo të pëlqyeshëm për Perëndinë.
Supozoni që Fryma ju zbuloi informacionin e ri që shoqja juaj shterpë do të ngelet shtatzanë. Ja tregoni asaj këtë gjë dhe kur ndodh, që të dyja ju rrëmben ngazëllimi prej mrekullisë së profecisë dhe shtatzanisë. Çfarë keni fituar nga ana frymërore? Asgjë, veçse po të ktheheni tek Fjala dhe të shihni – me sytë e zemrës – lavdinë dhe bukurinë e Krishtit siç portretizohet në Bibël, Jezuin e Nazaretit të kryqëzuar dhe të ringjallur për të shpëtuar mëkatarët dhe për të lavdëruar Perëndinë që ju ka bekuar kështu. Ngazëllimi fetar në praninë e mrekullive është gjë e natyrshme dhe nuk ka domosdoshmërisht dimension frymëror apo të mbinatyrshëm. Dhuntitë e Frymës janë të çmuara, por pafundësisht më e rëndësishme është ndriçimi i Frymës së Shenjtë që na hap sytë për të parë lavdinë e Krishtit tek Fjala.
Ne nuk kemi nevojë për informacion të ri, kemi nevojë për sy të rinj për të parë atë që na është zbuluar në Fjalën e Perëndisë. Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd!
Mos u lut dhe pastaj hallakatesh
Më lejoni të tregoj disa rrjedhoja të kësaj.
E para është se kur luteni për sy që të shikoni, nuk duhet që mendjen ta nxirrni jashtë loje. Mos hamendësoni se pazëvendësueshmëria e lutjes do të thotë se mund të bëni edhe pa mendimin e fokusuar në fjalën e Perëndisë. Kur luteni për të parë lavdinë e Krishtit, mos lini që mendja të hallakatet. As mos prisni duke mos bërë asgjë. Ky është gabim i madh dhe vjen prej përshpirtshmërisë Lindore dhe jo prej Biblës. Ajo çka është unike në Krishterim është se ai është historik dhe i veçantë. Jezui jetoni në një kohë dhe vend të caktuar. Plani i Perëndisë është të na hapë sytë për të parë bukurinë dhe vlerën frymërore të këtij njeriu të caktuar ashtu si është zbuluar tek Fjala. Nëse lutemi për ta parë këtë gjë, por me mendje hallakatemi larg saj, atëherë nuk kemi për ta parë. Prandaj mos bëni gabimin që të luteni dhe me mendje të hallakateni.
Çfarë të bëjmë atëherë?
1. Lutu dhe Lexo
Lexoje Fjalën! Çfarë privilegji! Çfarë obligimi! Çfarë potenciali për të parë Perëndinë! Shihni Efesianëve 3:3b-4. Pali shkruan, “se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë. Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit.” Kur ju lexoni Perëndia ka caktuar që misteret më të mëdha të jetës të zbulohen përmes leximit.
Pastaj krahasoni kapitullin 1:18 ku Pali thotë, “t'u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij.” Prandaj Efesianëve 3:4 thotë se misteri njihet duke lexuar. Kurse Efesianëve 1:18 thotë që ne të njohim atë që kemi nevojë të njohim, Perëndia duhet të na hapë sytë si përgjigje ndaj lutjes. Po ne duhet të lutemi. Po, ne jemi të verbër pa ndihmën e Perëndisë. Por ideja këtë javë është kjo, duhet të lexojmë.
“Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit.” Lutja nuk mund të zëvendësojë leximin. Lutja mund ta kthejë leximin në shikim. Por nëse nuk lexojmë nuk do të shohim. Fryma e Shenjtë është dërguar për të lavdëruar Jezuin, dhe lavdia e Jezuit portretizohet tek Fjala. Lexo. Ngazëllohu që mund të lexosh.
2. Lutu dhe Studio
2 Timoteu 2:15, “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.” Perëndia na dha një libër për veten jo që ta lexojmë si të dëshirojmë në një mënyrë të vjetër dhe pa kujdes. Pali tohtë, “Ji i zellshëm për të... trajtuar saktë fjalën e së vërtetës.” Kjo do të thotë se duhet të punosh me Fjalën nëse dëshiron të marrësh maksimumin prej saj.
Lavjerësi shkon para dhe pas. Disa thonë lutu dhe lute dhe mos u mbështet tek ajo që nuk është frymërore, punë njeriu apo studim. Të tjerë thonë, studio dhe studio për shkak se Perëndia nuk do të tregojë kuptimin e një fjale në lutje. Por Bibla nuk e toleron fare këtë lloj dikotomie. Ne duhet të studiojmë dhe ta trajtojmë drejt Fjalën e Perëndisë dhe duhet të lutemi ose nuk do të shohim tek Fjala gjënë e vetme të nevojshme, lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Krishtit (2 Korintasve 4:4, 6).
Beniamin Uarfild, një student i madh i Biblës shkroi në 1911, “Nganjëherë dëgjojmë të thuhet se dhjetë minuta në gjunjë do t'ju japin një njohuri më të vërtetë, më të të thellë dhe më vepruese për Perëndinë se dhjetë orë mbi libra. “Cili!' është reagimi i duhur, 'ndaj dhjetë orë mbi libra, në gjunjë?'” ("The Religious Life of Theological Students," in Mark Noll, ed., The Princeton Theology, [Grand Rapids: Baker Book House, 1983], p. 263). Kjo e kap frymën e Biblës. Po ne duhet të lutemi. Nuk do të shohim gjëra të mrekullueshme nga Fjala e Perëndisë nëse ai nuk na i hap sytë. Por lutja nuk mund ta zëvendësojë studimin, për shkak se Pali thotë, “Ji i zellshëm – studio – për ta trajtuar drejt Fjalën.”
3. Lutu dhe kërko
Përqasja jonë ndaj Biblës duhet të jetë si ajo e kërkuesve të arit, apo e një vazje të fejuar që i ka bumbur unaza diku në shtëpi. Ajo e kthen shtëpinë në anën tjetër. Kjo është mënyra sesi e kërkojmë Perëndinë në Bibël.
Fjalët e Urta 2:1-6 thotë,
Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.
Prano, çmo, ji i vëmendshëm, përkule zemrën, klith, ngrije zërin, kërkoje si argjendin, kërkoje si thesare të fshehura, vepro kështu. Nëse ka argjend sillu kështu. Lutu në çdo mënyrë (ashtu si thotë vargu 3) por mos e zëvendëso lutjen për kërkimin. Perëndia ka caktuar që t'u japë atyrë që kërkojnë me gjithë zemër (Jeremia 29:13).
4. Lutu dhe Mendo
Konsideroni 2 Timoteu 2:7, “Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.” Fjalë për fjalë thuhet “Mendon për ato që të them.” A do të thotë kjo që të kuptuarit e mësimit të Palit është thjesht një nismë mendimi neutral dhe njerëzor? Jo. Fundi i vargut thotë, “Zoti do të të japë mend.” Nuk jeni ju ata që mund të shihni vetë. Kuptimi frymëror është një dhuratë e Perëndisë.
Por Perëndia ka caktuar që të japë dhuratën e dritës së mbinatyrshme përmes të menduarit. “Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.” Prandaj lutuni në çdo mënyrë dhe kërkojini Perëndisë t'ju japë dritën që keni nevojë. Por mos e zëvendësoni mendimin me lutjen. Mendoni dhe lutuni. Lutuni dhe mendoni. Kjo është mënyra sesi Perëndia i ka caktuar gjërat. Kemi një Krisht historik. Një libër që ruan dhe zbulon. E gjitha kjo thotë, lexo dhe studio, kërko dhe mendo. Por e gjitha kjo është e kotë pa lutje. Kjo punë është edhe-edhe dhe jo ose-ose.
5. Lutu dhe Fol
Perëndia ka për qëllim që Fjala e shkruar të bëhet fjalë e folur në predikim dhe nxitje, qortim paralajmërim, inkurajim dhe këshillim reciprok për popullin e tij. Kolosianëve 3:16 thotë, “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin...!” Fjala e Krishtit për ne bëhet fjala jonë për njëri-tjetrin. Unë predikoj. Ky është vullneti i Perëndisë që fjala e tij të shpallet e freskët herë pas here. Edhe ju i flisni njëri-tjetrit Fjalën e Perëndisë. Kjo është një nga arsyet themelore për grupet e vogla në kishë, për ta bërë Fjalën e Perëndisë ndaj nesh Fjalë të Perëndisë përmes nesh. Thuajani njëri-tjetrit.
A do të thotë kjo që në këto momente mund ta heqim qafe lutjen, që në një farë mënyre mund t'i hapim sytë e zemrës sonë për të parë gjëra të mrekullueshme në Fjalën e Perëndisë për shkak se po e flasim me bindje, me një argument bindës apo me mënyra krijuese? Kjo nuk është ajo që mëson Pali. Në të njëjtin libër (Kolosianëve 1:9-10) ai lutet – lutet! - “nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore... duke u rritur në njohjen e Perëndisë.”
Nëse njohja e Perëndisë dhe të paturit e mençurisë dhe urtësisë frymërore të ishin automatike kur Fjala e Krishtit banon me bollëk mes nesh, atëherë Pali nuk do kishte nevojë të lutej me zell që Perëndia të na i jepte këto gjëra.
Fjala dhe Lutja së bashku
Prandaj e kemi parë herë pas here, Lutja është e pazëvendësueshme nëse duam të shohim lavdinë e Perëndisë në Fjalën e Perëndisë. Por gjithashtu kemi parë se leximi, studimi, kërkimi, mendimi dhe të folurit e Fjalës janë gjithashtu të nevojshme. Perëndia ka caktuar që puna e Frymës së tij për të hapur sytë gjithmonë të kombinohet me punën informuese të mendjes nga Fjala e tij. Synimi i tij është që ne të shohim lavdinë e Perëndisë dhe që ne të reflektojmë të njëjtën lavdi. Prandaj ai na hap sytë ndërsa jemi duke shikuar lavdinë e Perëndisë tek Fjala. Lexo, studio, kërko, mendo, fol, dëgjo – dhe lutu. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.”
(Për reflektim të mëtejsëm, shihni Lluka 24:45; Veprat 16:14; 2 Mbretërit 6:17; Mateu 16:17; 11:2-6; 11:27.)