Pse dhe si e kremtojmë Darkën e Zotit
17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen. 18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj. 19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar. 20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit, 21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur. 22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj. 23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën 24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim". 25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim". 26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë. 27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. 28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, 29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. 30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin. 31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. 32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën. 33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin. 34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t'i rregulloj.
Para se të kthehemi tek letra e Romakëve javën që vjen (dashtë Zoti), mendova që do ishte mire për ne që ta vendosim Darkën e Zotit në kontekstin e vet biblik dhe ta fokusojmë vëmendjen tonë tek pyetjet pse dhe si e zbatojmë këtë sakrament. Prandaj sot, do vendosim mesazhin të parin dhe pastaj nga predikimi do shkojmë tek Darka e Zotit.
Pas Biblës, e cila është themeli i pagabueshëm i jetës dhe kishës tonë, një prej dokumentave më të rëndësishëm në jetën e kishës tonë është Afirimi i Besimit nga Pleqtë e Kishës. Ju inkurajoj që të gjithve ta lexoni. Këtë mund ta gjeni në faqen e kishës në internet ose në faqen e Disiring God. Paragrafi 12:4 jep përmbledhjen doktrinore për atë që besojmë dhe mësojmë rreth Darkës së Zotit:
Ne besojmë se Darka e Zotit është një porosi e Zotit në të cilën besimtarët e mbledhur hanë bukë, që simbolizon trupin e Krishtit të dhënë për popullin e Tij, dhe pijnë kupën e Zotit, që simbolizon Beslidhjen e Re në gjakun e Krishtit. Këtë e bëjmë në kujtim të Zotit, dhe kështu shpallim vdekjen e tij derisa Ai të vijë. Ata që hanë dhe pijnë në një mënyrë të denjë marrin pjesë nga trupi dhe gjaku i Krishtit, jo fizikisht, por nga ana frymërore, dhe kështu, me anë të besimit, ata ushqehen prej të mirave që Ai siguroi përmes vdekjes së Tij, dhe kështu rritemi në hir.
Do të përpiqem të jap një themel biblik për këtë kuptim të Darkës së Zotit me gjashtë pika: 1) origjina historike, 2) pjestarët besimtarë, 3) veprimi fizik, 4) veprimi mendor, 5) veprimi frymëror, dhe 6) serioziteti i shenjtë.
1. Origjina historike e Darkës së Zotit
Ungjilli sipas Mateut (26:26 vazhdim), Marku (14:22 vazhdim) dhe Luka (22:14 vazhdim) që të tre raportojnë Darkën e Zotit që Jezusi kishte me dishepujt e tij natën para se të vdiste. Secili përshkruan Jezusin që falenderon apo bekon bukën dhe kupën, pastaj ua jep ato dishepujve të tij duke thënë se buka është trupi i tij dhe kupa është gjaku i beslidhjes, apo besëlidhja e re në gjakun e tij. Tek Luka 22:19, Jezusi thotë, “Bëjeni këtë në përkujtimin tim.” Ungjilli sipas Gjonit nuk raporton ngrënien dhe pirjen por përkundrazi mësimet dhe veprimet që mbushën atë mbrëmje.
Me aq sa mund të themi ne nga regjistrimet më të hershme, kisha bëri atë që Jezusi tha, Ata riluajtën atë darkë në kujtim të Jezusit dhe vdekjes së tij. Letrat e Palit janë dëshmitë më të hershme që kemi, dhe tek 1 Korintasve 11:20, ai i referohet një ngjarjeje në jetën e kishës e cila quhej “Darka e Zotit”. U quajt “Darka e Zotit” ndoshta për shkak se u themelua apo u caktua nga Zoti Jezus, dhe për shkak se vetë kuptimi i saj kremton kujtimin e vdekjes së Zotit. Pali thotë tek 1 Korintasve 11:23-24, “Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim"”. “Unë mora nga Zoti...” ndoshta do të thotë se vetë Zoti i konfirmoi Palit (i cili nuk ishte i pranishëm në darkën e fundit ashtu si apostujt e tjerë) se ajo që të tjerët raportuan rreth Darkës së Zotit ndodhi në të vërtetë.
Prandaj origjina historike e Darkës së Zotit është ajo darkë e fundit që Jezusi hëngri me dishepujt e tij para se të kryqëzohej. Veprimet dhe kuptimi i saj janë të rrënjosura në atë që Jezusi tha dhe bëri atë natë të fundit. Vetë Jezusi është origjina e Darkës së Zotit. Ai urdhëroi që kjo të vazhdojë. Ai është fokusi dhe përmbajtja e saj.
2. Pjesmarrësit besimtarë të Darkës së Zotit
Darka e Zotit është një veprim i familjes së mbledhur të atyre që besojnë në Jezusin, dhe kjo është kisha. Nuk është veprim i jobesimtarëve. Vërtet, jobesimtarët mund të jenë të pranishëm, i mirëpresim të jenë të pranishëm, pasi nuk ka asgjë sekrete rreth darkës së Zotit. Ajo bëhet në publik. Ka një kuptim publik. Nuk është një ritual sekret kulti me fuqi magjike. Ajo është një veprim publik adhurimi nga kisha e mbledhur. Në fakt tek 1 Korintasve 11:26 Pali thotë, “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.” Prandaj ka një aspekt shpalljeje tek kjo darkë. Shpallja dhe jo privacia është ajo që duhet theksuar.
Ne nuk e ndalojmë dikë që është në azil apo spital që të marrë Darkën e Zotit por ky lloj kremtimi individual është përjashtim dhe jo norma Biblike. Pesë herë tek 1 Korintasve 11, Pali flet për kishën që “mblidhet së bashku” kur haet Darka e Zotit. Vargu 17b, “ ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.” Vargu 18, “Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje.” Vargu 20, “Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit.” Vargu 33, “Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.” Vargu 34, “Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim.”
Me fjalë të tjera, ata po e përçmonin Darkën e Zotit duke e lidhur atë shumë afër me darkën e tyre të zakonshme, dhe disa kishin shumë për të ngrënë dhe të tjerët nuk kishin asgjë. Prandaj ai u tha, hani darkë në shtëpi dhe ejani së bashku për të ngrënë Darkën e Zotit.
Vini re fjalën “asamble” në vargun 18, “kur bashkoheni në asamble.” Kjo është trupi i Krishtit, asambleja e ndjekësve të Jezusit. Ata që janë larguar nga idhujt dhe kanë besuar vetëm në Jezusin për faljen e mëkateve të tyre, për shpresën e jetës së përjetëshme dhe për kënaqësinë e shpirtit të tyre. Këta janë të Krishterë. Prandaj pjesëmarrësit në Darkën e Zotit janë besimtarët në Jezusin të mbledhur së bashku.
3. Veprimi fizik i darkës së Zotit
Veprimi fizik i Darkës së Zotit nuk është konsumimi i një vakti me shtatë pjata. Është shumë i thjeshtë. Është ngrënia e bukës dhe pirja e kupës. Vargjet 23b-25, “mori bukën 24dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim". 25Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim".
Nuk jepet asnjë cilësim për llojin e bukës apo për mënyrën si u thye. E vetmja deklaratë për atë që gjendej në kupë jepet në një varg tek Mateu, Marku dhe Luka, “Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim.” (Mateu 26:29, Marku 14:25, Luka 22:18). Ajo pra quhet “fryt i hardhisë”. Nuk mendoj se duhet të bëjmë një diskutim të madh nëse ishte lëng rrushi apo verë. Në tekst nuk ka asnjë gjë që urdhëron apo ndalon njërën apo tjetrën.
Ajo me të cilën duhet të jemi të shqetësuar janë zëvendësueset rastësore, si petulla dhe koka kola përreth zjarrit të kampit. Darka e Zoti nuk është lojë. Ne duhet ta kremtojmë atë me një ndjesi rëndësie për të cilën do të flasim pas pak.
Kalimthi mund të përmend gjithashtu që në Dhjatën e Re nuk ka asgjë rreth shpeshtësisë së Darkës së Zotit. Disa besojnë që është mirë ta bëjnë çdo javë, të tjerë një herë në tre javë. Ne gjendemi në mes dhe zakonisht e kremtojmë të dielën e parë të çdo muaji. Mendoj që në këtë punë jemi të lirë dhe pyetja bëhet, 1) Çfarë lloj shpeshtësie apo joshpeshtësie korrespondon me rëndësinë e saj të duhur në lidhje me shërbesën e Fjalës së Perëndisë? Dhe 2) Çfarë lloj shpeshtësie apo joshpeshtësie na ndihmon të ndiejmë vlerën e saj në vend që të bëhemi të ngurtë ndaj saj? Këto nuk janë gjykime të lehta për t'u bërë dhe kisha të ndryshme i bëjnë në mënyra të ndryshme.
4. Veprimi mendor i Darkës së Zotit
Veprimi mendor i pjesmarrësve në Darkën e Zotit është të fokusojnë mendjen tek Jezusi dhe në mënyrë të veçantë tek vepra e tij historike e vdekjes për mëkatet tona. Vargjet 24-25, “bëni këtë në përkujtimin tim”. Ndërsa bëjmë aktin fizik të ngrënies dhe pirjes duhet të bëjmë aktin mendor të përkujtimit. Kjo do të thotë që, në mënyrë të ndërgjegjshme duhet të sjellim ndërmend personin e Jezusit ashtu si jetoi dikur, veprën e Jezusit ashtu si një herë vdiq dhe u ringjall dhe çfarë do të thotë vepra e tij për faljen e mëkateve tona.
Darka e Zotit është një kujtim i fortë, herë pas here, që Krishtërimi nuk është përshpirtshmëri e epokës së re. Nuk ka të bëjë me hyrjen në kontakt me qënien tuaj të brendëshme. Nuk është misticizëm. Ai është i rrënjosur në fakte historike. Jezusi jetoi. Ai kishte një trup, një zemër që pomponte gjak dhe lëkurë që lëshoi gjak. Ai vdiq publikisht në një kryq Romak në vend të mëkatarëve në mënyrë që kushdo që beson në të të mund të shpëtohet prej zemërimit të Perëndisë. Kjo ndodhi një herë e përgjithmonë në histori.
Prandaj, veprimi mendor i Darkës së Zotit në thelb është përkujtimi. Jo imagjinimi. Jo ëndërrimi. Jo kanalizimi. Jo dëgjimi. Jo qëndrimi neutral. Është një drejtim i ndërgjegjshëm i mendjes pas në histori tek Jezusi dhe tek ajo që dimë për të nga Bibla. Darka e Zotit na themelon herë pas here në hollësitë e historisë. Buka dhe kupa. Trupi dhe gjaku. Ekzekutimi dhe vdekja.
5. Veprimi frymëror i Darkës së Zotit
Kjo është e gjithë rëndësishme. Arsyeja është se jobesimtarët mund të bëjnë gjithë sa kam përshkruar deri tani. Në të vërtetë, nëse djalli mund të kishte një trup edhe ai mund ta bënte. Të hante, të pinte, të kujtonte. Nuk ka asgjë qenësisht frymërore rreth kësaj. Prandaj, në mënyrë që Darka e Zotit të jetë ashtu si Jezusi kishte për qëllim të ishte për ne, duhet të ndodhë diçka më tepër se thjesht të ngrënët, të pirët dhe përkujtimi. Diçka të cilën jobesimtarët dhe djalli nuk mund ta bëjnë.
Më lejoni të lexoj fjalinë kyçe nga Afirmimi i Besimit nga Pleqtë edhe një herë dhe pastaj t'ju tregoj se ku gjendet kjo në Bibël, “Ata që hanë dhe pinë në një mënyrë të denjë marrin pjesë nga trupi dhe gjaku i Krishtit, jo fizikisht, por nga ana frymërore, dhe kështu, me anë të besimit, ata ushqehen prej të mirave që Ai siguroi përmes vdekjes së Tij, dhe kështu rritemi në hir.”
Nga vjen kjo ide e “pjesëmarrjes në trupin dhe gjakun e Krishtit, nga ana frymërore, me anë të besimit”? Teksti më i afërt për të mbështetur këtë ide është kapitulli pararendës, 1 Korintasve 10:16-18. Ndërsa e lexojmë pyesni, “Çfarë do të thotë 'pjesëmarrje'”?
Kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit (koinōnia estin tou haimatos tou Christou)? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit (ouchi koinōnia tou sōmatos tou Christou estin)? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit (koinōnia tou thusiastēriou)?
Këtu kemi diçka shumë më të thellë se përkujtimi. Këtu kemi besimtarë, ata që besojnë në Jezu Krishtin, dhe Pali thotë se ata po marrin pjesë në trupin dhe gjakun e Krishtit. Fjalë për fjalë, ata po përjetojnë një pjesëmarrje (koinōnia) në trupin dhe gjakun e tij. Ata po përjetojnë një partneritet në vdekjen e tij.
Pjesëmarrje në trupin dhe gjakun e Krishtit nga ana frymërore me anë të besimit
Çfarë do të thotë kjo pjesëmarrje/ndarje/partneritet? Mendoj se vargu 18 na jep treguesin për shkak se përdor një fjalë të ngjashme, por e krahason me atë që ndodh në sakrificat e Judenjve: “ Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit?” Çfarë do të thotë pjesëmarrës/partner në altar? Do të thotë që ata po marrin pjesë apo përfitojnë prej asaj që ndodh në altar. Ata po shijojnë, për shembull, faljen dhe bashkësinë e ripërtërirë me Perëndinë.
Prandaj unë i marr vargjet 16 dhe 17 me kuptimin që kur besimtarët hanë bukën dhe pinë kupën në mënyrë fizike, nga ana frymërore po përjetojmë një lloj tjetër të ngrëni dhe të piri. Ne hamë dhe pimë, do të thotë që marrim në jetën tonë atë që ndodhi në kryq. Me anë të besimit, duke besuar në gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin, ne ushqejmë veten me përfitimet që Jezusi siguroi për ne kur u përgjak dhe vdiq në kryq.
Kjo është arsyeja pse ju udhëheqim me fokuse të ndryshme në tryezën e Zotit nga një muaj në tjetrin (paqe me Perëndinë, gëzim në Krishtin, shpresë për të ardhmen, liri prej frikës, siguri në kundërshtime, udhëzim në konfuzion, shërim nga sëmundjet, fitore në tundim, etj.) Kjo për shkak se kur Jezusi vdiq, gjaku i derdhur dhe trupi i thyer që u ofruan në vdekjen e tij në vendin tonë blenë të gjitha premtimet e Perëndisë. Pali thotë, “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë "po" dhe në atë "amen", për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.” (2 Korintasve 1:20). Çdo dhuratë e Perëndisë dhe gjithë bashkësia jonë e gëzueshme me Perëndinë, u blenë prej gjakut të Jezusit. Kur Pali thotë, “Kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?, ai do të thotë, A nuk shijojmë nga ana frymërore në tryezën e Zotit me anë të besimit çdo bekim frymëror që është blerë prej gjakut të Krishtit? Asnjë jobesimtar nuk mund ta bëjë këtë. Djalli nuk mund ta bëjë. Kjo është një dhuratë për familjen. Kur kremtojmë darkën e Zotit ne ushqehemi nga ana frymërore me anë të besimit në gjithë premtimet e Perëndisë që u blenë prej gjakut të Jezusit.
6. Serioziteti i shenjtë i Darkës së Zotit
Po e mbyll ashtu si bën Pali tek 1 Korintasve 11. Ai paralajmëron se nëse vjen në Darkën e Zotit në një mënyrë të pakujdesshme, të ngurtë apo kavaliere që nuk e dallon seriozitetin e asaj që ndodhi në kryq, është e mundur që nëse jeni besimtar të humbisni jetën, jo për shkak të zemërimit, por si një veprim i disiplinës atërore të Perëndisë. Thjesh më lejoni të lexoj ngadalë 1 Korintasve 11:27-32 ndërsa kalojmë me gëzim dhe seriozitet tek tryeza e Zotit.
17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen. 18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj. 19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar. 20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit, 21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur. 22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj. 23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën 24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim". 25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim". 26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë. 27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. 28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, 29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. 30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin. 31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. 32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.
Mos e merrni lehtë Darkën e Zotit. Ajo është një prej dhuratave më të çmuara që Krishti i ka dhënë kishës së tij. Le ta marrim së bashku.