Çfarë ndodh në lindjen e re? Pjesa 1
1 Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: "Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të". 3 Jezusi iu përgjigj dhe tha: "Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë". 4 Nikodemi i tha: "Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?". 5 Jezusi u përgjigj: "Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. 7 Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". 8 Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma". 9 Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: "Si mund të ndodhin këto gjëra?". 10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?
Kemi nisur një seri mesazhesh rreth lindjes së re. Jezusi i tha Nikodemit tek Gjoni 3:3, “ Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Kur e tha këtë gjë ai po na fliste të gjithëve ne. Nikodemi nuk ishte rast i veçantë. Ju dhe unë duhet të lindim sërish, ose ndryshe nuk kemi për ta parë mbretërinë e Perëndisë. Kjo do të thotë që nuk do të shpëtohemi, nuk do të jemi pjesë e familjes së Perëndisë, nuk do të shkojmë në qiell, por në vend të kësaj do të shkojmë në ferr.
Nikodemi ishte njëri prej Farisenjve, udhëheqësit Judenj më fetarë. Jezusi u tha atyre tek Mateu 23:15 dhe 33, “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!... O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas?” Prandaj kjo seri që kemi nisur nuk është për një temë të parëndësishme. Është qëndrore. Përjetësia qëndron në ekuilibër kur jemi duke folur për lindjen e re. “ Nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
Lindja e re është shqetësuese
Në mesazhin e parë herën e kaluar u fokusuam tek arsyet për këtë seri dhe në ato lloj pyetjesh që do të ngrejmë. Pyetja e sotme është, Çfarë ndodh në lindjen e re? Para se të përpiqem t'i përgjigjem kësaj pyetjeje, më lejoni të përmend një shqetësim shumë të madh që kam në lidhje me mënyrën sesi do të dëgjohen këto mesazhe. Jam i vetëdijshëm që kjo seri mesazhesh do jetë shqetësuese për shumë prej jush, ashtu si fjalët e Jezusit janë shqetësuese për ne herë pas here nëse i marrim seriozisht. Për këtë gjë ka të paktën tre arsye:
1) Për shkak të gjendjes tonë pa shpresë
Mësimi i Jezusit për lindjen e re na ballafaqon me gjendjen tonë pa shpresë frymërore, morale dhe ligjore veçmas hirit ripërtëritës të Perëndisë. Para se të na ndodhë lindja e re, ne jemi të vdekur nga ana frymërore. Moralisht jemi egoistë dhe rebelë. Ligjërisht jemi fajtorë para ligjit të Perëndisë dhe gjendemi nën zemërimin e tij. Kur Jezusi na thotë që duhet të lindim sërish po na thotë që gjëndja jonë e tanishme është mjerueshmërisht joreaguese, e prishur dhe fajtore. Veçmazi hirit të mahnitshëm në jetën tonë nuk na pëlqen ta dëgjojmë këtë gjë për veten. Prandaj është shqetësuese kur Jezusi na thotë që duhet të lindim sërish.
2) Për shkak se nuk mund ta shkaktojmë lindjen e re
Mësimi rreth lindjes së re është i parehatshëm për shkak se i referohet diçkaje që na bëhet ne, dhe jo diçkaje që ne bëjmë. Gjoni 1:13 e thekson këtë gjë. Ai u referohet fëmijëve të Perëndisë si ata “të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.” Pjetri thekson të njëjtën gjë, “Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.” (1 Pjetri 1:3). Ne nuk e shkaktojmë lindjen e re. Perëndia është ai që e shkakton lindjen e re. Çdo gjë e mirë që bëjmë është si rezultat i lindjes së re, dhe jo një shkak i lindjes së re. Kjo do të thotë që lindja e re nuk është në dorën tonë. Nuk është nën kontrollin tonë. Prandaj na ballafaqon me pazotësinë tonë dhe varësinë tonë absolute tek Dikush jashtë vetes tonë. Kjo është shqetësuese. Na thuhet që nuk do ta shohim mbretërinë e Perëndisë nëse nuk lindim sërish. Na është thënë gjithashtu që nuk mund ta bëjmë veten që të lindim sërish. Kjo është shqetësuese.
3) Për shkak se liria absoulute e Perëndisë na ballafaqon
Dhe arsyeja e tretë pse mësimi i Jezusit për këtë lindje të re është shqetësues, si rrjedhim, është që na ballafaqon me lirinë absolute të Perëndisë. Veç Perëndisë, ne jemi të vdekur nga ana frymërore në egoizmin dhe rebelimin tonë. Prej natyre jemi bij të zemërimit (Efesianëve 2:3). Rebelimi ynë është aq i thellë saqë nuk mund ta dallojmë apo dëshirojmë lavdinë e Krishtit në ungjill (2 Korintasve 4:4). Prandaj, nëse do të lindim sërish, në mënyrë vendimtare dhe përfundimtare kjo varet prej Perëndisë. Vendimi i tij për të na sjellë në jetë nuk do të jetë si reagim ndaj asaj që bëjmë ne si kufoma frymërore, por ajo që ne bëjmë ka për të qenë reagim ndaj faktit që ai na bën të gjallë. Për shumë njerëz, të paktën në fillim kjo është shqetësuese.
Shpresa ime: Të stabilizoj dhe shpëtoj, jo thjesht të shqetësoj
Prandaj, ndërsa e nis këtë seri, jam i vetëdijshëm për faktin sa i parehatshëm mund të jetë ky mësim rreth lindjes së re. Oh, sa i kujdesshëm që dua të jem. Nuk dëshiroj që t'ju shkaktoj ndonjë trishtim të panevojshëm këtyre shpirtrave të butë. Gjithashtu nuk dua t'u jap shpresa të kota atyre që e kanë ngatërruar moralin apo fenë me jetën frymërore. Ju lutem, lutuni për mua. Këto ditë ndihem sikur po mbaj në duar shpirtra të përjetshëm. E megjithatë e di që nuk kam fuqi në veten time për t'u dhënë atyre jetë. Por Perëndia e ka. Kam shumë shpresë që ai do të bëjë atë që thotë tek Efesianëve 2:4-5, “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus.” Perëndisë i pëlqen të lartësojë pasuritë e hirit të tij jetëdhënës atje ku Krishti ngrihet lart në të vërtetë. Kjo është shpresa ime, që kjo seri të mos jetë thjesht e parehatshme por që të stabilizojë dhe shpëtojë.
Çfarë ndodh në lindjen e re?
Tani pra, le t'i kthehemi pyetjes, Çfarë ndodh në lindjen e re? Përgjigjen do të përpiqem ta jap me tre deklarata. Me dy të parat do të merremi sot, dhe me të tretën (dashtë Zoti) do të merremi javën e ardhëshme. 1) Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është përqafimi i një feje të re por pranimi i një jete të re. 2) Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është thjesht afirmimi i së mbinatyrshmes në Jezusin por përjetimi i të mbinatyrshmes në veten tuaj. 3) Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është përmirësimi i natyrës suaj të vjetër njerëzore por krijimi i një natyre të re njerëzore – një natyrë që është vërtet ju, e falur dhe e pastruar, dhe një natyrë që është vërtet e re, që po formohet prej Frymës së Perëndisë që banon përbrenda. Le t'i shohim një e nga një.
1) Jetë e re, jo fe e re
Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është përqafimi i një feje të re por pranimi i një jete të re. Lexoni bashkë me mua tri vargjet e para të Gjonit 3, “Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve. Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: "Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të". Jezusi iu përgjigj dhe tha: "Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë".
Gjoni sigurohet që ne ta dimë se Nikodemi është Farise dhe kre i Judenjve. Farisenjtë ishin grupi fetar më rigoroz nga të gjitha grupet e Judenjve. Këtij Jezusi i thotë (në vargun 3), “ Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Në mënyrë edhe më personale në vargun 7, “Duhet të lindni përsëri.” Prandaj një prej pikave të Gjonit është, gjithë feja e Nikodemit, gjithë studimet e tij të mahnitshme prej fariseu, gjithë disiplina dhe zbatimi i ligjit nuk mund ta zëvendësojnë nevojën për lindjen e re. Në fakt, ato fare mirë mund ta bëjnë më të nevojshme nevojën për lindjen e re.
Ajo që Nikodemi ka nevojë, dhe ajo që ju dhe unë kemi nevojë, nuk është feja por jeta. Ideja e referimit të lindjes së re është që lindja sjell një jetë të re në botë. Sigurisht, në një farë kuptimi, Nikodemi është i gjallë. Ai merr frymë, mendon, ndjen, vepron. Ai është njeri, i krijuar sipas shembëlltyrës së Perëndisë. Por është e qartë që Jezusi mendon se ai është i vdekur. Tek Nikodemi nuk ka jetë frymërore. Nga ana frymërore ai nuk ka lindur. Ai ka nevojë për jetë, jo më tepër aktivitete fetare apo më tepër zell fetar. Ai ka shumë të tillë.
E mbani mend çfarë i tha Jezusi tek Luka 9:60 atij që donte ta shtyne ndjekjen e Jezusit derisa të varroste të atin? Jezusi i tha, “Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndis.” Kjo do të thotë që ka njerëz fizikisht të vdekur që kanë nevojë të varrosen. Dhe ka njerëz frymërisht të vdekur që mund t'i varrosin. Me fjalë të tjera, Jezusi mendonte për njerëz që lëvizin dhe duket sikur kanë shumë jetë, e megjithatë janë të vdekur. Në shembëlltyrën e tij për djalin plangprishës, Ati thotë, “sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri.” (Luka 15:24).
Nikodemi nuk kishte nevojë për fe, ai kishte nevojë për jetë, jetë frymërore. Ajo që ndodh në lindjen e re është që vjen në ekzistencë një jetë që nuk ishte e pranishme më parë. Në lindjen e re ndodh jetë e re. Këto nuk janë aktivitete fetare, dispilinë apo vendim. Kjo është ardhja në ekzistencë e jetës. Kjo është mënyra e parë për të përshkruar çfarë ndodh në lindjen e re.
2) Përjetim i së mbinatyrshmes, jo thjesht afirmim i saj
Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është thjesht afirmimi i së mbinatyrshmes në Jezusin por përjetimi i së mbinatyrshmes në veten tuaj. Në vargun 2, Nikodemi thotë, “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.” Me fjalë të tjera, Nikodemi sheh në Jezusin një aktivitet të vërtetë hyjnor. Ai pranon që Jezusi është nga Perëndia. Jezusi bën veprat e Perëndisë. Këtyre Jezusi nuk u përgjigjet duke thënë, “Do të doja që të gjithë njerëzit në Palestinë të mund të shihnin të vërtetën që ti sheh rreth meje.” Në vend të kësaj ai thotë, “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
Të shohësh shenja dhe mrekulli, të mahnitesh me to, t'i thuash atij që i bën këto se është nga Perëndia, këto nuk shpëtojnë askënd. Ky është një prej rreziqeve të mëdha të shenjave dhe mrekullive. Nuk ke nevojë për një zemër të re që të mahnitesh me to. Zemra e vjetër dhe e rënë njerëzore është gjithë sa keni nevojë që të mahniteni me shenjat dhe mrekullitë. Natyra e vjetër dhe e rënë njerëzore është e gatshme të thotë se ai që kryen mrekullitë është nga Perëndia. Vetë djalli e di se Jezusi është Biri i Perëndisë dhe që kryen mrekulli (Marku 1:24). Jo, Nikodem, të më shohësh mua si një bërës mrekullish i dërguar prej Perëndisë nuk është çelësi për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
Me fjalë të tjera, ajo që ka rëndësi nuk është thjesht afirmimi i së mbinatyrshmes në Jezusin por përjetimi i së mbinatyrshmes në veten tuaj. Lindja e re është e mbinatyrshme, jo e natyrshme. Ajo nuk mund të shpjegohet prej gjërave që tashmë gjenden në botë. Vargu 6 thekson natyrën e mbinatyrshme të lindjes së re, “Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë.” Mishi është ajo çka jemi natyrshëm. Fryma e Perëndisë është Personi i mbinatyrshëm që sjell lindjen e re. Jezusi e thotë këtë gjë sërish në vargun 8, “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” Fryma nuk është pjesë e kësaj bote natyrore. Ai është mbi natyrën. Ai është i mbinatyrshëm. Në të vërtetë ai është Perëndi. Ai është shkaku i drejtpërdrejtë i lindjes së re.
Prandaj Nikodem, i thotë Jezusi, ajo që ndodh në lindjen e re nuk është thjesht afirmimi i së mbinatyrshmes në mua, por përjetimi i së mbinatyrshmes në veten tënde. Ti duhet të lindësh sërish. Jo në ndonjë mënyrë metaforike apo të natyrshme por në mënyrë të mbinatyrshme. Perëndia, Frymë e Shenjtë duhet të vijë mbi ty dhe të sjellë në ekzistencë jetë të re.
Herën tjetër do të shohim fjalët në vargun 5, “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Kujt i referohen uji dhe Fryma këtu? Dhe si na ndihmon kjo të kuptojmë çfarë ndodh në lindjen e re?
Jezusi është Jeta
Por sot dua ta mbyll duke bërë një lidhje kritike mes të lindurit sërish përmes Frymës dhe të pasurit të jetës së përjetshme përmes besimit në Jezusin. Ajo që kemi parë deri tani është që ajo që ndodh në lindjen re është një vepër e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë për të sjellë në ekzistencë jetë frymërore atje ku nuk ekzistonte. Jezusi e thotë sërish tek Gjoni 6:63, “Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë.”
Por Ungjilli sipas Gjonit bën të qartë edhe diçka tjetër, Jezusi është jeta që Fryma e Shenjtë jep. Ose mund të themi, Jetën frymërore që ai jep, e jep vetëm në lidhje me Jezusin. Bashkimi me Jezusin është vendi ku përjetojmë jetë frymërore dhe të mbinatyrshme. Tek Gjoni 14:6 Jezusi tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Dhe tek Gjoni 6:35 ai tha, “Unë jam buka e jetës.” Tek 20:31 Gjoni thotë, “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.”
Nuk ka jetë veçmas Jezusit
Kështu pra, nuk ka jetë frymërore, jetë të përjetshme veçmas lidhjes me Jezusin dhe besimit në të. Kemi shumë më tepër për të thënë për marrëdhënien mes lindjes së re dhe besimit në Jezusin. Por për tani ta themi kështu: Në lindjen e re, Fryma e Shenjtë na bashkon me Krishtin në një lidhje të gjallë. Krishti është jetë. Krishti është hardhia ku rrjedh jeta. Ne jemi shermendet (Gjoni 15:1). Ajo që ndodh në lindjen e re është krijimi i mbinatyrshëm i një jete të re frymërore, dhe kjo krijohet përmes bashkimit me Jezu Krishtin. Fryma e Shenjtë na sjell në një lidhje jetësore me Krishtin i cili është udha, e vërteta dhe jeta. Ky është realiteti objektiv i asaj që ndodh në lindjen e re.
Nga ana jonë, mënyra sesi e përjetojmë këtë gjë është që besimi në Jezusin zgjohet në zemrat tona. Jeta frymërore dhe besimi në Jezusin vijnë në ekzistencë së bashku. Jeta e re e bën besimin të mundur, dhe përderisa jeta frymërore gjithmonë zgjon besim dhe e shpreh veten në besim, nuk ka jetë pa besim tek Jezusi. Prandaj, nuk duhet ta ndajmë kurrë lindjen e re nga besimi në Jezusin. Nga ana e Perëndisë, ne bashkohemi me Krishtin në lindjen e re. Këtë bën Fryma e Shenjtë. Nga ana jonë, ne e përjetojmë këtë bashkim përmes besimit në Jezusin.
Mos e ndani kurrë lindjen e re nga besimi në Jezusin
Dëgjoni sesi Gjoni i lidh këto të dyja së bashku tek 1 Gjoni 5:4, “Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë.” Lindja nga Perëndia është çelësi i fitores. Besimi është çelësi i fitores. Për shkak se besimi është mënyra sesi ne përjetojmë të lindurit prej Perëndisë.
Ose dëgjoni sesi Gjoni e thotë këtë tek 1 Gjoni 5:11-12, “Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.” Prandaj, kur Jezusi thotë, “Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë.” (Gjoni 6:63), dhe kur thotë, “Duhet të lindni nga Fryma” në mënyrë që të keni jetë, ai do të thotë: Në lindjen e re, Fryma e Shenjtë në mënyrë të mbinatyrshme na jep jetë të re frymërore duke na lidhur me Jezu Krishtin përmes besimit. Sepse Jezusi është jetë.
Prandaj mos i ndani kurrë këto dy thënie të Jezusit tek Gjoni 3, “nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë” (v. 3) dhe “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme.” (v. 36).