Kënaqësia e Perëndisë në Birin e Tij
Ky është Biri im i dashur, në të jam i kënaqur.
Hyrje
Këtë mëngjes po nisim një seri të re mesazhesh që, dashtë Zoti do arrijmë deri në 19 Prill, mëngjesin e së Dielës së Pashkës. Prandaj dëshiroj të nis duke shpjeguar si jam shtyrë për të zhvilluar këtë seri.
Të Shohësh do të thotë të Bëhesh
Kur vjen puna tek të kuptuarit se çfarë duhet të ndodhë në veprën e predikimit unë drejtohem prej disa teksteve biblike, në mënyrë të veçantë 2 Korintasve 3:18.
Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.
Unë besoj se ky tekst na mëson se një prej mënyrave përmes të cilave ndryshohemi më progresivisht në ngjashmëri me Krishtin është duke soditur lavdinë e tij. “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim,” Mënyra për t'u bërë gjithnjë e më tepër si Zoti është ta përqëndroni vështrimin tuaj tek lavdia e tij dhe ta mbani atë në fushëpamjen tuaj.
Ne përsëritim me vete melodinë e muzikës që dëgjojmë. Flasim me dialektin e vendit. Mësojmë mirësjelljen nga prindërit tanë. Dhe natyrshëm priremi të imitojmë njerëzit që i admirojmë më tepër. Kështu është edhe me Perëndinë. Nëse e fiksojmë vëmendjen tonë tek ai dhe e mbajmë lavdinë e tij para syve tanë, do të ndryshohemi nga lavdia në lavdi në shëmbëllimin e tij. Nëse adoleshentët priren t'i mbajnë flokët si yjet që admirojnë, ashtu edhe të krishterët do të priren ta rregullojnë karakterin e tyre me atë të Perëndisë që admirojnë. Në këtë transaksion frymëror të shohësh nuk është vetëm të besosh, të shohësh është të bëhesh.
Predikimi si portretizim i lavdisë së Perëndisë
Mësimi që mësoj prej kësaj rreth predikimit është që në një shkallë të madhe predikimi duhet të jetë portretizim i lavdisë së Perëndisë, për shkak se synimi i predikimit është t'i ndryshojë njerëzit në shëmbëllimin e Perëndisë. Mendoj se kjo përputhet me pikëpamjen e Palit për predikimin për shkak se vetëm katër vargje më pas, tek 2 Korintasve 4:4, ai përshkruan përmbajtjen e predikimit të tij si “drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë.” Dhe dy vargje më pas në vargun 6 ai e përshkruan pak më ndryshe si “drita e njohurisë së lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.”
Prandaj, sipas Palit, predikimi është një mjet për të përcjellë dritë në zemrat e errëta të burrave dhe grave.
Në vargun 4 drita quhet, “drita e ungjillit,” dhe në vargun 6 drita quhet “drita e njohurisë.”
Në vargun 4 ungjilli është ungjilli i lavdisë së Krishtit dhe në vargun 6 njohuria është njohuria e lavdisë së Perëndisë. Prandaj në të dy vargjet drita që përcillet në zemër është drita e lavdisë – lavdia e Krishtit dhe lavdia e Perëndisë.
Por këto në fakt nuk janë dy lavdi të ndryshme. Në vargun 4 Pali thotë se kjo është lavdia e Krishtit, i cili është shëmbëllimi i Perëndisë. Dhe në vargun 6 ai thotë që lavdia e Perëndisë është në fytyrën e Krishtit. Prandaj drita që përcillet përmes predikimit është një dritë lavdie dhe për këtë lavdi mund të flisni si lavdia e Krishtit i cili është shëmbëllimi i Perëndisë, apo lavdia e Perëndisë e reflektuar në mënyrë të përsosur në Krishtin.
Predikimi është portretizimi, shfaqja apo tregimi i lavdisë hyjnore në zemrat e burrave dhe grave (2 Korintasve 4:4-6), në mënyrë që përmes soditjes së kësaj lavdie ata të mund të ndryshohen në shëmbëllimin e Zotit nga një masë lavdie tek tjetra (2 Korintasve 3:18).
E vërtetë nga përvoja
Ky nuk është një sajim artificial apo intelektual. Është tamam ajo që e di se është e vërtetë nga përjetimi im (ashtu si e dinë edhe shumë prej jush!); të parët e Perëndisë për kush ai është në të vërtetë e ka treguar veten herë pas here si forca më e fuqishme dhe më bindëse në motivimin e kërkimit tim për shenjtëri dhe gëzim në të.
Ju dhe unë e dimë nga përvoja se konflikti bazë në shpirtin njerëzor është mes dy lavdive – lavdia e botës dhe gjithë kënaqësitë jetëshkurtra që mund të ofrojë ajo, përkundrejt lavdisë së Perëndisë dhe gjithë kënaqësive të përjetshme që ajo mund të ofrojë. Këto dy lavdi konkurojnë për aleancën, admirimin dhe kënaqësinë e zemrave tona. Dhe roli i predikimit është të shfaqë, tregojë, portretizojë dhe shpalosë lavdinë e Perëndisë në një mënyrë të tillë që vlera dhe shkëlqimi i saj superior të ndriçojë në zemrën tuaj në mënyrë që ju të ndryshoheni nga një masë lavdie tek tjetra.
Sfida me të cilën përballet predikuesi
Kjo do të thotë që si predikues përballem vazhdimisht me pyetjen: Si mund ta portretizoj më mirë lavdinë e Perëndisë në mënyrë që një numër sa më i madhe njerëzish ta shohin dhe të ndryshohen prej saj? Ndërsa ja bëra vetes këtë pyetje në një kamp para dy javësh, një përgjigje e re më erdhi në mendje.
Isha duke lexuar sërish një pjesë nga libri i Henri Skogalit, Jeta e Perëndisë në Shpirtin e Njeriut. Ai bëri këtë koment të mprehtë: “Vlera dhe epërsia e një shpirti duhet të matet prej objektit të dashurisë së tij” (faqja 62). Kjo më mbërtheu si shumë e vërtetë. Pastaj më erdhi mendimi që nëse kjo është e vërtetë për njerëzit, ashtu si Skogali kishte për qëllim të thoshte, sigurisht që kjo është e vërtetë edhe për Perëndinë: “Vlera dhe epërsia e shpirtit të PERËNDISË duhet matur përmes objektit të dashurisë së tij.”
Kështu hetova Shkrimet për disa ditë duke kërkuar gjithë ato vende që na tregojnë se çfarë do Perëndia me çfarë kënaqet, me çfarë gëzohet. Rezultati është një plan predikimi me 13 mesazhe të titulluara kënaqësitë e Perëndisë.
Prandaj kjo është lutja ime dhe shpresoj që edhe ju do ta bëni tuajën, që duke parë objektet e kënaqësisë së Perëndisë do të shohim epërsinë dhe vlerën e shpirtit të tij dhe duke parë epërsinë dhe vlerën e shpirtit të tij të shohim lavdinë e tij dhe duke parë lavdinë e tij do të ndryshohemi nga një masë lavdie tek tjetra në ngjashmëri me të dhe duke u ndryshuar në ngjashmërinë e tij do ta përballim këtë qytet dhe popujt e paarritur të botës me një dëshmi të gjallë për një Shpëtimtar tërheqës, madhështor dhe të parezistueshëm. I pëlqeftë Zotit të na dërgojë një rizgjim të madh dashurie, shenjtërie dhe force ndërsa shohim drejt tij dhe lutem me zell për këto 13 javë.
Shtjellimi
Në portretizimin e vlerës së shpirtit të Perëndisë në objektin e dashurisë së tij duhet t'ia nisim nga fillimi. Gjëja e parë dhe më themelore që mund të themi për kënaqësitë e Perëndisë është që ai kënaqet në Birin e tij. Këtë të vërtetë do përpiqem ta shtjelloj në pesë pohime.
1. Perëndia gjen kënaqësi në Birin e tij.
Tek Mateu 17 Jezui i merr Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin në një mal të lartë. Kur ata janë krejt vetëm ndodh diçka krejtësisht e mahnitshme. Krejt papritur Perëndia i jep Jezuit një pamje lavdie. Vargu 2, “Fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.” Pastaj në vargun 5 një re plot dritë i mbuloi dhe Perëndia foli nga mesi i resë, “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!”
Së pari, Perëndia u dha dishepujve një copëz të vogël të lavdisë së vërtetë qiellore të Jezuit. Ja se çfarë thotë Pjetri tek 2 Pjetri 1:17, “Sepse ai (Krishti) mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë.” Pastaj Perëndia zbulon zemrën e tij për Birin dhe thotë dy gjëra: “Unë e dua birin tim” (“Ky është Biri im i dashur”), dhe “Unë gjej kënaqësi në Birin tim” (“në të cilin jam kënaqur”).
Ai e thotë këtë edhe në një rast tjetër, në pagëzimin e Jezuit, ndërsa Fryma e Shenjtë zbret dhe e vajos Jezuin për shërbesë, duke treguar dashurinë dhe mbështetjen e Atit - “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”
Dhe tek ungjilli sipas Gjonit, Jezui flet disa herë për dashurinë e Atit për të, për shembull, Gjoni 3:35, “Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.” Gjoni 5:20, “Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë.”
(Shihni gjithashtu Mateu 12:18 ku Mateu citon Isaia 42:1 duke iu referuar Jezuit: “Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur.” Fjala Hebraisht për “i kënaqur” është fjala ratsah dhe do të thotë “kënaqem me.”)
Prandaj deklarata jonë e parë është që Perëndia Atë e do Birin, jo me ndonjë mëshirë vetëmohuese apo sakrifikuese, por me dashurinë e ëndjes dhe kënaqësisë. Ai është shumë i kënaqur me Birin! Kur ai sheh Birin e tij, gëzohet, admiron, çmon, vlerësn dhe pëlqen atë që sheh.
2. Biri i Perëndisë ka plotësinë e hyjnisë.
Kjo e vërtetë do të na ruajë që të mos gabojmë rreth të parës. Ju mund të bini dakord me pohimin se Perëndia gjen kënaqësi tek Biri, por të gaboni duke menduar se Biri është thjesht një njeri jashtëzakonisht i shenjtë të cilin Ati e birësoi të ishte Biri i tij për shkak se ai kënaqej kaq shumë me të.
Por Kolosianëve 2:9 na jep një këndvështrim shumë ndryshe për gjërat. “Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” Biri i Perëndisë nuk është thjesht një njeri i zgjedhur. Ai ka plotësinë e hyjnisë në veten e vet.
Pastaj Kolosianëve 1:19 e lidh këtë gjë me kënaqësinë e Perëndisë; “Sepse Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia.” Me fjalë të tjera, ishte kënaqësia e Perëndisë ta bënte këtë. Perëndia nuk po kërkonte nëpër botë për të gjetur një njeri që do të kualifikohej për kënaqësinë e tij dhe pastaj ta birësonte si Birin e tij. Përkundrazi, vetë Perëndia mori iniciativën të vendoste plotësinë e tij në një njeri në veprën e mishërimit. Ose mund të themi se ai mori iniciativën ta vishte plotësinë e hyjnisë së tij me natyrë njerëzore. Dhe Kolosianëve 1:19 thotë se atij i pëlqeu ta bënte këtë gjë! Kjo ishte ëndja dhe kënaqësia e tij.
Ne mund të priremi të themi se Perëndia nuk gjeti një Bir që i pëlqente, por bëri një Bir që i pëlqente. Por edhe kjo do ishte shumë ngatërruese, për shkak se kjo plotësi e hyjnisë, që tani banon trupërisht (Kolosianëve 2:9) në Jezuin, tashmë ekzistonte në formë personale para se të merrte një natyrë njerëzore në Jezuin. Kjo na shtyn edhe më pas në kohë tek vetë Hyjnia dhe tek pohimi i tretë.
3. Biri në të cilin Perëndia kënaqet është shëmbëllimi dhe reflektimi i përjetshëm i Perëndisë dhe kështu është vetë Perëndi.
Këtu tek Kolosianëve 1:15 Pali thotë,
Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese [kjo do të thotë, ai që ka statusin e lartësuar të Birërisë hyjnore mbi gjithë krijimin, siç e tregon dhe fraza tjetër], sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe.
Biri është shëmbëlltyrë e Atit. Çfarë do të thotë kjo? Para se ta themi, le të konsiderojmë disa cilësime të tjera të ngjashme.
Tek Hebrenjve 1:3 thuhet për Birin,
Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij.
Tek Filipianëve 2:6 Pali thotë,
I cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori.
Prandaj Biri në të cilin Perëndia kënaqet është vetë shëmbëllimi i tij, ai reflekton lavdinë e tij, mban vetë vulën e qënies së tij, është në trajtën e tij dhe është i barabartë me Perëndinë. Prandaj nuk duhet të habitemi kur apostulli Gjon tek Gjoni 1:1 thotë, Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Prandaj do të ishte krejtësisht ngatërruese të thoshim se Biri në të cilin Perëndia kënaqet u bë ose u krijua në momentin e mishërimit apo në ndonjë moment tjetër. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.” Për aq kohë sa ka patur Perëndi, ka ekzistuar edhe Fjala e Perëndisë, Biri i Perëndisë, i cili mori një natyrë njerëzore në Jezu Krishtin.
Tani mund të kemi një ide më të mirë për atë që Bibla do të thotë kur e quan atë shëmbëllimin, reflektimin, vulën, ose trajtën e Perëndisë që është i barabartë me Perëndinë.
Qysh nga përjetësia e shkuar i vetmi realitet që ka ekzistuar gjithmonë është Perëndia. Ky është një mister i madh, për shkak se është kaq e vështirë për ne të mendojmë për Perëndinë që në mënyrë absolute nuk ka fillim, që ka ekzistuar përjetësisht pa askënd apo asgjë që ta bënte të ishte, thjesht realitet absolut me të cilin duhet të përballet secili prej nesh na pëlqen ose jo.
Bibla na mëson se ky Perëndi i përjetshëm gjithmonë ka patur
një shëmbëllim të përsosur të vetes një reflektim të përsosur të natyrës së tij një trajtë të përsosur të thelbit të tij një vulë të përsosur të natyrës së tij një trajtë apo shprehje të përsosur të lavdisë së tij
Tani gjendemi në buzë të të parrëfyeshmes, por ndoshta mund të guxojmë të themi kaq: për aq kohë sa Perëndia ka qenë Perëndi, ai ka qenë i vetëdijshëm për veten dhe shëmbëllimi që ka patur për veten është aq i përsosur dhe aq i plotë saqë është riprodhimi (apo lindja) personale dhe e gjallë e vetes së tij. Kjo formë, ky reflektim apo shëmbëllim personal dhe i gjallë i Perëndisë është Perëndi, domethënë, Perëndia Bir. Si rrjedhim, Perëndia Bir është i bashkëpërjetshëm me Perëndinë Atë dhe i barabartë në thelb dhe lavdi.
4. Kënaqësia e Perëndisë në Birin e tij është kënaqësi në Veten e tij.
Përderisa Biri është shëmëbëllimi, reflektimi, vula dhe trajta e Perëndisë, i barabartë me Perëndinë dhe ËSHTË vërtet Perëndi, si rrjedhim kënaqësia e Perëndisë në Birin është kënaqësi në Veten e tij. Prandaj gëzimi origjinal, parësor, më i thellë dhe themelor i Perëndisë është gëzimi që ai ka në përsosmëritë e tij ndërsa i sheh ato të reflektuara në Birin e tij. Ai e do Birin, kënaqet në Birin dhe gjen ëndje në Birin për shkak se Biri është vetë Perëndi.
Në fillim kjo tingëllon si kotësi dhe ka ndjesinë e mendjemadhësisë, vetëkënaqjes dhe egoizmit, për shkak se kështu do të ishte nëse ndonjëri prej nesh do të gjente gëzimin e parë dhe më të thellë duke parë veten në pasqyrë. Do ishim të kotë, mëndjemëdhenj, të vetëkënaqur dhe egoistë.
Por pse? Për shkak se ne u krijuam për diçka pafundësisht më të mirë, më fisnike, më të lartë dhe më të thellë sesa meditimi mbi veten. Për çfarë? Meditimi dhe kënaqja me Perëndinë! Çdo gjë më pak se kjo do jetë idhujtari. Perëndia është qënia më e lavdishme. Të mos e duash atë, të mos gjesh kënaqësi në të është një ofendim i madh ndaj vlerës së tij.
Por e njëjta gjë është e vërtetë për Perëndinë. Si të mos e ofendojë Perëndia atë që është pafundësisht e bukur dhe e lavdishme? Si mundet që Perëndia të mos kryejë idhujtari? Ka vetëm një përgjigje të mundshme: Perëndia duhet të dojë dhe të kënaqet mbi gjithçka tjetër në bukurinë dhe përsosmërinë e tij. Nëse ne e bëjmë këtë pëpara pasqyrës është thelbi i kotësisë, por që Perëndia ta bëjë këtë para Birit të tij është thelbi i drejtësisë.
A nuk është thelbi i drejtësisë të trazohesh prej kënaqësisë së përsosur në atë që është përsosmërisht e lavdishme? Dhe a nuk është e kundërta e drejtësisë kur ne i vendosim ndjenjat tona më të larta në gjëra me pak apo fare pa vlerë?
Prandaj drejtësia e Perëndisë është zelli, gëzimi dhe kënaqësia e pafundme që ai ka në lavdinë dhe vlerën e tij. Nëse ai do të vepronte në kundërshtim me këtë pasion të përjetshëm për përsosmëritë e tij, do të ishte i padrejtë, do të ishte idhujtar.
Këtu qëndron pengesa më e madhe ndaj shpëtimit tonë: si mundet një Perëndi kaq i drejtë të vendosë dashurinë e tij mbi mëkatarë si ne? Por këtu qëndron gjithashtu vetë themeli i shpëtimit tonë, për shkak se është tamam ai vlerësim i pafundëm që Ati ka për Birin që e bën të mundur për mua, një mëkatar të lig, të duhem dhe pranohem në Birin, për shkak se në vdekjen e tij ai i hoqi tej gjithë fyerjet dhe lëndimet që i kisha bërë lavdisë së Atit përmes mëkatit tim.
Këtë do ta shohim herë pas here në javët që vijnë – si kënaqësia e pafundme e Atit në përsosmëritë e tij është burimi i shpengimit, shpresës dhe gëzimit tonë të përjetshëm. Sot është vetëm fillimi.
Po e mbyll me pohimin e pestë dhe me zbatimin e fundit. Nëse Skogali ka të drejtë – që vlera dhe epërsia e një shpirti matet prej objektit (dhe këtu do shtoj, intensitetit) të dashurisë së tij – atëherë...
5. Perëndia është qënia më e përsosur dhe e denjë nga të gjitha.
Pse? Për shkak se ai e ka dashur Birin e tij, shëmëbëllimin e lavdisë së vet, me një energji të pafund dhe të përsosur qysh nga përjetësia. Sa të lavdishëm dhe të lumtur kanë qenë Ati, Biri dhe Fryma e dashurisë që lëviz mes tyre qysh nga përjetësia!
Le të qëndrojmë të mahnitur me këtë Perëndi madhështor! Dhe le të largohemi nga të gjitha mëritë e kota dhe kënaqësitë kalimtare dhe kërkimet e kota të jetës dhe të bashkohemi me gëzimin që Perëndia ka në shëmbëllimin e përsosmërive të tij, domethënë në Birin e tij. Le të lutemi:
Perëndi i drejtë, i përjetshëm dhe i pafund, ne rrëfejmë që shpesh të kemi nënçmuar ty dhe kemi lartësuar veten në qendër të dashurisë tonë ku është vetëm vendi yt në personin e Birit tënd. Ne pendohemi dhe kthehemi nga supozimet tona dhe me gëzim qëndrojmë të mahnitur me bashkësinë tënde të përjetshme dhe të vetëmjaftueshme të Trinisë. Lutja jonë, e thënë me fjalët e Birit tënd (Gjoni 17:26) është që dashuria me të cilën e ke dashur atë të mund të jetë në ne dhe ai të jetë në ne, që të mund të rrëmbehemi në atë bashkësi gëzimi dhe atë oqean dashurie përgjithmonë. Amen.