Mbështetur prej Hirit Sovran - Përgjithmonë
Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t'i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës". "Ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt. Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre. Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre. Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t'u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin. Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim". Sepse kështu thotë Zoti: "Ashtu si solla mbi këtë popull gjithë këtë fatkeqësi të madhe, kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar.
Çfarë është Hiri Mbështetës?
Ne po festojmë 125 vite të hirit mbështetës të Perëndisë. Çfarë është ky hir? Çfarë është hiri mbështetës? Më lejoni ta them me katër rreshta:
Jo hir që vështirësitë mban larg,
as që shpëton nga çdo shtrëngim,
por hir që vështirësi dhe dhimbje cakton
dhe në errësirë është i pranishëm dhe na mbështet.
Këtë e theksoj për shkak se nëse kremtojmë një hir që mban larg çdo vështirësi, që na shpëton nga çdo shtrëngim dhe nuk cakton dhimbjen tonë do të ishte false nga ana biblike dhe jo real në përjetim.
. . . Në një aksident pothuaj fatal.
Përjetimi ynë dhe Bibla na mësojnë se hiri nuk e pengon dhimbjen, por cakton, rregullon dhe mat dhimbjen tonë, pastaj në errësirë është i pranishëm për të na mbështetur. Për shembull, dje Bob Rikër, presidenti i Konferencës së Përgjithshme Baptiste, foli për kujtimet e çmuara të hirit mbështetës të Perëndisë. As dhjetë vite më parë Bobi dhe vajza e Disë u gjendën në një aksident automobilistik serioz. Ajo është e gjallë sot për një arsye. Në makinën pas saj ishte një doktor që rastisi të kishte një tub frymëmarrjeje në xhep. Kur arriti ajo po merrte ngjyrë blu. Ai e shtyu tubin në fytin e saj dhe kështu i shpëtoi jetën. Në dasmën e saj pas disa vitesh, Bobi i tha, ato vurrata në fytyrën tënde me të cilat duhet të jetosh janë kujtime të hirit mbështetës.
Bob Rikër nuk është naiv. Ai e di që nëse Perëndia mund të caktojë që në makinën pas të ishte një doktor dhe që ai të kishte një paisje për frymëmarrjen në xhep, që të kishte mend për ta përdorur në mënyrë që t'i shpëtonte jetën, atëherë ky Perëndi është plotësisht në gjendje ta pengonte aksidentin të ndodhte. Në fakt, pak më parë Bobi kishte cituar Efesianëve 1:11, “Duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij.” Ai theksoi, “Të gjitha, do të thotë të gjitha” - dhe hamendësoj që këtu përfshihen rrugët e makinave, aeroplanëve, shigjetave dhe plumbave. Ky ishte frymëzimi për poemën time të shkurtër, “ Çfarë është hiri mbështetës?”
Jo hir që vështirësitë mban larg,
as që shpëton nga çdo shtrëngim,
por hir që vështirësi dhe dhimbje cakton
dhe në errësirë është i pranishëm dhe na mbështet.
. . . Kur makina prishtet
Të shtunë, dy javë më parë, Noel, Abrahami, Barnaba dhe Tabitha po udhëtonin për në Xhorxhia me makinë dhe ajo u prish në një pjesë të vetmuar të rrugës një orë në jug të Indianapolisit. Radiatori ishte shpuar. Një fermer rreth të gjashtëdhjetave ndaloi makinën dhe ofroi t'i ndihmonte. Noel i thotë se mendon që do u nevojitet një hotel dhe shpreson që të hënë në mëngjes do ketë ndonjë servis të hapur për të rregulluar makinën. Fermeri ia kthen, “A do të dëshironit të qëndronit me mua dhe gruan time?” Noel heziton dhe nuk dëshiron t'u bëhet barrë. Ai i thotë, “Zoti tha se kur u shërbejmë të tjerëve, është sikur t'i shërbejmë atij.” Ajo ia ktheu, “Mirë, a mund të shkojmë në kishë bashkë me ju në mëgjes?” Ai i tha, “Nëse mund ta duroni dot një kishë Baptiste.”
Kështu ata qëndruan me fermerin, i cili ishte mekanik aviacioni, i cili e diagnostikoi problemin, shkon në qytet të hënë në mëngjes, blen një radiator të ri, kthehet, e vendos pa asnjë shpenëzim dhe e nis familjen në udhëtim. Sikur kjo të mos ishte mjaft, Barnaba nxori kallamin e peshkimit nga makina dhe kapi një peshk 45 centimetra të gjatë.
Perëndia që mund të bëjë që një fermer të ndalojë për të ndihmuar Noelën, që kujdeset që ai të jetë i krishterë (madje Baptist!), pastaj ai dhe gruaja e tij kanë vend që familja ime të qëndrojë me ta, që ai të ishte mekanik, që të gjente një radiator të hënë në mëngjes, që të ishte i gatshëm të harxhonte kohë, që të kishte një rezervuar me peshk, ky Perëndi është përsosmërisht i aftë që të bëjë që radiatori të mos prishej në mes të Indianas.
….Kur shërimi nuk ndodh
Por në këtë botë të rënë kotësie kjo nuk është gjithçka që hiri mbështetës bën.
Jo hir që vështirësitë mban larg,
as që shpëton nga çdo shtrëngim,
por hir që vështirësi dhe dhimbje cakton
dhe në errësirë është i pranishëm dhe na mbështet.
Një nga djemtë e rinj në kishën tonë po kalon ca vështirësi të mëdha tani të cilat po ia sprovojnë besimin në kulm. Kohët e fundit më tha, do ishte më e lehtë sikur Jezui të mos kishte shëruar por në vend të kësaj të jepte hir që të durohej mungesa e shërimit. Një prej gjërave që i thashë atij ishte, “Kjo është tamam ajo që Jezui bëri dhe tamam për atë arsye tek 2 Korintasve 12:9-10. Hiri i Perëndisë caktoi që Pali të kishte një gjëmb në mish për hir të përulësisë së tij dhe pastaj nuk e largoi për t'ju përgjigjur lutjve të tij. Por ai thotë,
''Hiri im [mbështetës] të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi''.
Ndaj të cilës Pali reagon duke thënë,
Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
Jo hir që vështirësitë mban larg,
as që shpëton nga çdo shtrëngim,
por hir që vështirësi dhe dhimbje cakton
dhe në errësirë është i pranishëm dhe na mbështet.
. . . Kur ndërtesa e kishës digjet
Të hënë, më 16 Mars 1885, kur Kisha Baptiste e Betlehemit ishte 14 vjet dhe gjendej në cepin e Bulevardit të 12-të dhe Rrugës së 6-të (atje ku tani gjendet kompania Dagllas), ndërtesa mori zjarr. Ajo u dëmtua aq keq sa nuk mund të riparohej. Por në atë errësirë pati një mahnitje me hirin e Perënidsë. Pjesa e çatisë ku qëndruan zjarrfikësit nuk u rrëzua. Brenda shtatë javësh kisha bleu ndërtesën e Kishës së Dytë Kongregacionale ku kemi adhuruar për 106 vjet derisa mbaroi ndërtimi i kësaj ndërtese në 1991.
Ai Perëndi që mund t'i ruajë zjarrfikësit duke bërë që një pjesë e çatisë të dëmtuar të mund të qëndronte, ai që mund të siguronte një ndërtesë të re dhe më të mirë brenda shtatë javëve, mund ta kishte ndaluar zjarrin që në fillim.
Shpresoj që të jem i qartë: Ne po kremtojmë hirin mbështetës.
Atë hir që cakton vështirësitë dhe dhimbjen tonë,
dhe në errësirë është i pranishëm për të na mbështetur.
Perëndia nuk na kursen gjithmonë prej fatkeqësive
Teksti ynë nga Jeremia 32 ka të bëjë me këtë lloj hiri mbështetës, ai mban çelësin për faktin pse Kisha Baptiste e Betlehemit është e gjallë në këtë qytet sot pas 125 vite sprovash. Jeruzalemi dhe populli i zgjedhur i Perëndisë janë në errësirë dhe vështirësi. Ishte vetë Perëndia ai që e kishte caktuar këtë gjë. Shihni vargun 36, “ Ai do t'i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës.” Këtë thonë për të. Dhe kjo është e vërtetë. Perëndia nuk ua kurseu atyre këtë fatkeqësi. Hiri i Perëndisë nuk ka për t'ju kursyer as juve fatkeqësitë e caktuara për ju.
Por ajo që fatkeqësia thotë për të zgjedhurit e Perëndisë nuk është fjala përfundimtare. Perëndia ka fjalën e fundit. Dhe kjo fjalë është një fjalë hiri. Vargu 37 thotë, “Ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.” Prandaj Perëndia shpall se ai i ka caktuar vështirësitë dhe dhimbjen. “Unë i kam shpërndarë” në këto vende të huaja. Ai deklaron se ai vetë do t'i çlirojë dhe do t'i sjellë pranë vetes dhe në tokën e tyre. Me fjalë të tjera, hiri sovran më në fund do të triumfojë mbi fatkeqësinë.
Si mund të jemi të sigurtë për triumfin e hirit?
Si mund të jemi të sigurt për triumfin e hirit? Nëse Perëndia është Perëndi i drejtësisë që mund ta dërgojë Izraelin në mërgim shkatërrues ku shumë humbasin për shkak të mëkatit dhe mosbindjes së tyre, atëherë si mund të kemi siguri që kjo nuk do t'u ndodhë të zgjedhurve të Perëndisë sot, kishës, nuses së Krishtit, Izraelit të vërtetë, ju dhe mua, që jemi thirrur në bashkësinë e Birit të tij? Është një gjë të pysësh, pse ka mbijetuar Betlehemi për 125 vjet? Por një pyetje edhe më urgjente është si mund të jemi të sigurt se hiri do triumfojë për Betlehemin dhe në jetën tonë në të ardhmen? Si mund të jeni të sigurt se hiri do t'ju mbështesë deri në fund në besim dhe shenjtëri që ju çon shëndoshë e mirë në qiell? Për këtë flet pjesa tjetër e këtij teksti. Përgjigja është, hiri mbështetës për popullin e zgjedhur të Perëndisë është hiri sovran. Kjo do të thotë, hiri mbështetës është hir i gjithpushtetshëm. Ai është hir që i kalon të gjitha pengesat dhe e ruan besimin dhe shenjtërinë që na çon në shtëpinë tonë në qiell. Kjo është siguria jonë e vetme e palëkundur për të ardhmen. Ju dhe unë, në vetvete, jemi krejtësisht të dobët dhe që nuk mund të na besohet. Nëse do të na linin të këmbëngulnim në fuqinë tonë, do ta mohonim besimin, kjo është e sigurtë. Kjo është arsyeja përse shenjtorët janë lutur përgjatë shekujve,
Sa borxhli që jam ndaj hirit
Kam detyra ndaj tij plot
Le të bëhet hiri prangë
Të më lidhë me ty o Zot
Por unë prirem për t'u endur
prirem të të lë o Zot
merrma zemrën dhe vulosma
që nga lart me Frymën plot
A është kjo mënyra sesi duhet të luten shenjtorët? A është kjo mënyra si duhet të lutemi për të ardhmen tonë dhe për atë të Betlehemit? A është kjo një mënyrë biblike për t'u lutur? Le të bëhet hiri prangë, të më lidhë me ty o Zot. Merrma zemrën dhe vulosma për oborret e qiellit. Me fjalë të tjera, Më mbaj! Më ruaj! Mposht çdo rrebelim që ngre krye! Mposht çdo dyshim! Më çliro prej çdo tundimi shkatërrues! Anulo çdo joshje fatale! Demasko çdo mashtrim demoniak! Hidh poshtë çdo mendim arrogant! Më formo! Më tërhiq! Më mbaj! Më zotëro! Bëj çfarë duhet të bësh që të më bësh të vazhdoj të besoj në ty dhe të të druhem derisa Jezui të vijë apo të më thërrasë. A mundemi, a duhet të lutemi dhe të këndojmë kështu?
Përgjigja nga ky tekst është po. Ai lloj të kënduari dhe të luturi është i rrënjosur në premtimin e besëlidhjes së re për hir sovran dhe mbështetës. Le ta lexojmë. Mbani mend, ky është një prej disa premtimeve të Besëlidhjes së Vjetër për besëlidhjen e re që Jezui tha se e vulosi me gjakun e vet për të gjithë ata që janë në të. Kjo nuk është vetëm për Judenjtë, por për ata që janë Judenj të vërtetë për shkak të bashkimit me Jezuin, farën e Abrahamit (Galatasve 3:7, 16). Jeremia 32:38-41 thotë,
Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre. Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre. Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t'u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin. Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim
Katër premtime të hirit sovran dhe mbështetës
Vini re katër premtime të hirit sovran dhe mbështetës.
1. Perëndia do të jetë Perëndia ynë
Perëndia premton të jetë Perëndia ynë. Vargu 38 thotë, “ Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.” Gjithë premtimet për popullin e tij përmblidhen në këtë, “Unë do të jem Perëndia yt.” Kjo do të thotë, do përdor gjithë sa jam si Perëndi, gjithë urtësinë, gjithë fuqinë, gjithë dashurinë, për t'u siguruar që ju të mbeteni populli im. Gjithë sa jam si Perëndi e ushtroj për të mirën tuaj.
2. Perëndia premton të ndryshojë zemrat tona
Perëndia premton që të ndryshojë zemrat tona dhe të bëjë që ta duam dhe t'i druhemi atij. Vargu 39 thotë, “Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë … (v.40) do të shtie në zemrën e tyre frikën.” Me fjalë të tjera, Perëndia nuk ka për të qëndruar indiferent për ta parë nëse ne, me fuqinë tonë do t'i druhemi atij, në mënyrë sovrane, supreme dhe të mëshirshme ai do të na japë një zemër që kemi nevoj të kemi, do të na japë besimin dhe fikën e Perëndisë të cilat do na udhëheqin për në shtëpinë tonë në qiell. Ky është hiri sovran dhe mbështetës. (Shih Ligji i Përtërirë 30:6; Ezekieli 11:19–20; 36:27.)
3. Perëndia premton se nuk do të largohemi prej Tij
Perëndia premton se ai nuk do të largohet prej nesh dhe ne nuk do të largohemi prej tij. Vargu 40 thotë, “Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre. Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t'u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.” Me fjalë të tjera, puna e tij e zemrës është aq e fuqishme saqë ai garnton që nuk do ta braktisim. Kjo është ajo çka është e re rreth beslidhjes së re. Perëndia premton që të përbushë përmes fuqisë së tij kushtet që ne duhet t'i plotësojmë. Ne duhet t'i druhemi atij, ta duam dhe t'i besojmë. Dhe ai thotë, do të sigurohem që “ta shtie frikën time në zemrat e tyre”, jo për të parë se çfarë do të bëjnë ata me të, por në një mënyrë të tillë që “të mos më braktisin.” Ky është hiri sovran dhe mbështetës.
4. Perëndia premton që ta bëjë këtë me intensitet të pafund
Përfundimisht, Perëndia premton që ta bëjë këtë me intensitetin më të madh të imagjinueshëm. Ai e shpreh këtë gjë në dy mënyra, një në fillim dhe tjetra në fund të vargut 41, “ Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim.” Së pari ai thotë se do ta ushtrojë këtë hir sovran dhe mbështetës me gëzim: “ Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë.” Pastaj ai thotë (në fund të vargut 41) se do ta ushtrojë këtë hir sovran dhe mbështetës “me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim.”
Sa e madhe është dëshira e Perëndisë për t'ju bërë mirë?
Ai gëzohet duke ju mbështetur, ai ngazëllon me gjithë zemrën dhe shpirtin e tij. Tani dua t'ju pyes, pa ndonjë ekzagjerim predikues apo retorikë të ndërlikuar, pa ndonjë ndjesi mbitheksimi, po ju pyes, po ju sfidoj, a mund të imgjinoni një intensitet dëshire më të madh se një dëshirë e fuqizuar prej “gjithë zemrës dhe gjithë shpirtit të Perëndisë”? Supozoni se mblodhët gjithë dëshirën për ushqim, seks, para, famë, pushtet, kuptim, miq dhe siguri në zemrat dhe shpirtrat e gjithë qënieve njerëzore mbi tokë, shtatë miliardë njerëz, ta mblidhnit gjithë atë dëshirë ta shumëzonit me gjithë ato shtatë miliardë zemra dhe shpirtra dhe ta futnit në një rezervuar. Si mund të krahasohej kjo me dëshirën e Perëndisë për t'ju bërë mirë e cila shprehet me fjalët, “me gjithë zemrën e tij dhe me gjithë shpirtin e tij”? Do të krahasohej si një gishtëz me oqeanin Paqësor. Për shkak se zemra dhe shpirti i Perëndisë janë të pafundme. Kurse zemrat dhe shpirtrat e njerëzve janë të fundëm. Nuk ka asnjë intensitet më të madh se intensiteti i “gjithë zemrës së Perëndisë dhe shpirtit të Perëndisë.”
Ky është intensiteti i gëzimit që ai ka ndërsa ju mbështet me hir sovran, “Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë... me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim.” Disa prej jush mund të jenë duke shijuar ëmbëlsinë e hirit të tij për herë të parë këtë mëngjes. Kjo është puna e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj, dhe ju nxis t'i dorëzoheni kësaj pune dhe të zotëroheni prej hirit sovran dhe mbështetës.
Ju të tjerët keni jetuar në këtë siguri të ëmbël për dekada me rradhë dhe thjesht bashkoheni me mua këtë mëngjes për t'u mburrur rreth këtij realiteti të lavdishëm në jetën tonë. Ju ftoj të këndoni bashkë me mua, të bekojmë Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë për hirin sovran dhe mbështetës që na ka ruajtur si kishë për 125 vjet dhe ka për t'i ruajtur të zgjedhurit e Perëndisë në besim derisa Jezui të vijë ose t'i thërrasë.
Jo hir që vështirësitë mban larg,
as që shpëton nga çdo shtrëngim,
por hir që vështirësi dhe dhimbje cakton
dhe në errësirë është i pranishëm dhe na mbështet.