Forconi duart e njëri-tjetrit në Perëndinë
Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll. Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia. Pastaj i tha: "Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë". Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.
Mesazhi i sotëm është një shkëputje nga seria që nisëm të Dielën e kaluar me Efesianëve. Arsyeja për këtë shkëputje është bindja e thellë që ndjejmë për nevojën për t'i inkurajuar të gjithë anëtarët e kishës tonë të jenë pjesë e një grupi të vogël në të cilin e ndihmoni njëri-tjetrin të luftoni luftën e besimit. Prandaj fokusi ynë sot është tek forcimi i duarve të njëri-tjetrit në Perëndinë.
Siguria e përjetshme është projekt komuniteti
Ne besojmë se siguria e përjetshme është projekt komuniteti. Ne besojmë se këmbëngulja e shenjtorëve është përgjegjësi e përbashkët. I njëjti Zot i dashur që tha, “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:27-28), gjithashtu tha, “por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:13).
Me fjalë të tjera ata që kanë lindur prej Perëndisë janë përjetësisht të sigurt në dorën e Jezusit. Dhe ata që kanë lindur prej Perëndisë duhet të ngulmojnë deri në fund në mënyrë që të shpëtohen përfundimisht. Prandaj shtrohet pyetja: Si ka vendosur Perëndia që ta bëjë popullin e vet të ngulmojë në besim deri në fund në mënyrë që të mos dështojë në plotësimin e premtimit që ata janë të sigurtë dhe që asnjë nuk do të humbasë?
Këtë mëngjes po fokusohemi në një pjesë kritike të përgjigjes për këtë pyetje, që, Perëndia ka caktuar që të jemi të lidhur me besimtarë të tjerë, në mënyrë të atillë që ta ndihmojmë njëri-tjetrin të luftojmë me sukses luftën e besimit ditë pas dite deri në fund. Baza biblike për këtë përgjigje është Hebrenjve 3:12-14,
Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot", që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.
Perëndia ka caktuar një mjet përmes të cilit do të na aftësojë ta ruajmë besimin të palëkundur deri në fund. Mjeti është ky, Zhvilloni ato lloj marrëdhëniesh të krishtera në të cilat e ndihmoni njëri-tjetrin të mbaheni fort tek premtimet e Perëndisë dhe t'i shpëtojmë mashtrimit të mëkatit. Nxiteni njëri-tjetrin ditë pas dite për të qëndruar të palëkundur dhe vishni gjithë armatimin e Perëndisë.
Jini pjesë e një grushti të krishterësh
Fëmijë, para të rinj, adoleshentë, studentë, beqarë, çiftet të martuara, vejusha, të ve! A jeni pjesë e një grushti miqsh të krishterë që janë betuar të ndihmojnë njëri-tjetrin të luftojnë luftën e besimi dhe ta mbrojnë njëri-tjetrin prej kthetrave të padukshme të mëkatit?
Nuk po them që nuk mund të shpëtoheni nëse nuk i përkisni një grupi të vogël të organizuar. Por po them, dhe besoj se është fjala e Perëndisë, që nëse nuk keni një grusht të tillë miqsh në besim, atëherë po neglizhoni një prej mjeteve të caktuara prej Perëndisë për ruajtjen dhe ngulmimin tuaj në besim. Neglizhimi i mjeteve të hirit është gjë shumë e rrezikshme për shpirtin tuaj.
Prandaj synimi im këtë mëngjes është shumë i thjeshtë, t'ju motivoj t'i përkisni një grushti të vogël të krishterësh ku mund të nxitni dhe të nxiteni për të luftuar luftën e besimit ditë pas dite. Në fund të mesazhit Pitër Nelson do të prezantojë shkurtimisht një rrjet grupesh të vogla të disponueshme për konsiderimin tuaj në lutje.
Katër mësime nga takimi i Jonatanit me Davidin
Teksti është 1 Samueli 23:15-18. Ky është një ilustrim i thjeshtë dhe domethënës për atë që duhet të ndodhë në luftën e vazhdueshme të besimit.
Davidi po shkonte nga një vend në tjetrin në shkretëtirën e Zifit afërsisht 50 kilometra në jug të Jerusalemit, duke u përpjekur t'i qëndrojë larg Saulit. Sauli, mbreti i Izraelit do ta vrasë Davidin për shkak se mendon që ai është rival i rrezikshëm për fronin. Jonatani, djali i Saulit, e do Davidin dhe dëgjon që ai gjendet në shkretëtirën e Zifit, prandaj shkon atje për të forcuar duart e tij në Perëndinë.
Ky takim mes Jonatanit dhe Davidit ilustron të paktën katër mësime për ta ndihmuar njëri-tjetrin të luftojmë luftën e besimit.
1. Nevojën e secilit për shoqëri të krishterë
Shenjtorët më të mëdhenj dhe udhëheqësit më të fortë kanë nevojë për shokë të krishterë për të forcuar duart e tyre në Perëndinë. Davidi ishte i madh, i fortë, dhe kishte nevojë për Jonatanin.
Shoqëria e krishterë nuk është vetëm për rekrutët e rinj. Ajo është për çdo besimtar. Nuk arrijmë kurrë në një pikë ku të mos kemi nevojë për shërbesën e të krishterëve të tjerë. Nëse mendoni se jeni përtej nevojës për nxitje të përditshme në luftën e besimit, atëherë ndoshta zemra juaj ka rënë tashmë pre e mashtrimit të mëkatit.
Davidi ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë. Ai ishte luftëtar i madh. Nuk ka dyshim që ishte superior karshi Jonatanit në forcë, inteligjencë dhe thellësi të kuptuari teologjik. Por vargu 16 thotë se shkoi dhe forcoi duart e tij në Perëndinë.
Mos mendoni kurrë që dikush është aq i fortë saqë nuk ka nevojë të forcohet në Perëndinë. Dhe mos mendoni kurrë se dikush është shumë më lart se ju saqë nuk mund të jeni instrumenti i Perëndisë për t'i dhënë forcë.
Çarls Spërxhën foli për shumë udhëheqës të krishterë kur shkroi,
Para disa vitesh, u pushtova prej një depresioni të frikshëm në shpirt. Më ndodhën disa ngjarje shqetësuese, nuk isha mirë me shëndet dhe zemra po më lëshonte. Nga thellësitë u detyrova t'i klithja Zotit. Pak para se të shkoja në Montone për t'u çlodhur, vuajta shumë në trup, por edhe më tëpër në shpirt, pasi fryma më ishte mbingarkuar. Nën këtë presion, dhashë një predikim nga fjalët, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Isha aq i kualifikuar të predikoja nga ky tekst sa nuk kisha qenë kurrë, në fakt, shpresoj që disa prej vëllezërve të mi të mund të kishin hyrë aq thellë në ato fjalë zemërthyese. Ndjeva masën e plotë të tmerrit të një shpirti të harruar prej Perëndisë. Ky nuk ishte një përjetim i dëshirueshëm, dridhesha thjesht prej idesë së kalimit sërish përgjatë atij eklipsi të shpirtit, lutem që të mos vuaj më kurrë në atë mënyrë. (Autobiografi, vol. 2, faqja 415)
Këtë e përmenda për të theksuar që edhe shenjtorët më të mëdhenj, luftëtarët më guximtarë nuk shpëtojnë prej nevojës që dikush t'u forcojë duart në Perëndinë. Në fakt sulmi i djallit kundër tyre mund ta bëjë nevojën e tyre edhe më të madhe. Prandaj, mësimi i parë nga teksti ynë është që nuk shpëtoni kurrë prej nevojës suaj për nxitje të përditshme. Shenjtorët më të mëdhenj dhe udhëheqësit më të fortë kanë nevojë për shokë që t'u forcojnë duart në Perëndinë.
2. Përpjekje e ndërgjegjshme
Mësimi i dytë është që forcimi i duarve të një personi në Perëndinë përfshin një përpjekje të ndërgjegjshme. Është e qëllimshme. Këtë nuk e bëni kuturu, ju çoheni dhe shkoni në Horesh. Vargu 16, “ Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.”
Çfarë ndryshimi do të vinte në kishën tonë nëse, kur të gjithë ne zgjohemi në mëngjes, të PLANIFIKOJMË të forcojmë duart e dikujt në Perëndinë! Jonatani nuk e takoi aksidentalisht Davidin në Horesh (edhe pse me raste kjo ndodh!) Ai e PLANIFIKOI të shkonte dhe ta forconte. Shenja e pjekurisë së krishterë është që në jetën tuaj vendosni synimin dhe rastet për të forcuar duart e dikujt në Perëndinë. Duart e kujt do të forconi në Perëndinë sot? Këtë javë? A keni një grusht miqsh (qëllimisht!) për ta ndihmuar njëri-tjetrin ta luftoni luftën e besimit në këtë mënyrë?
Kam qenë duke lexuar kujtimet e Samuel Pirsit, një prej atij grupi të vogël pastorësh që themeluan Shoqërinë e Parë Misionare Baptiste në vitin 1792. Mes të tjerëve ishin Xhon Rajlënd, Xhon Satklif, Endrju Fuller, Samel Pirs dhe Uilliam Keri. Kohët e fundit më ka bërë përshtypje një gjë më shumë se çdo gjë tjetër, këta burra e donin njëri-tjetrin, takoheshin së bashku dhe ishin thellësisht të përkushtuar të forconin duart e njëri-tjetrit në Perëndinë. Këtë e bënë edhe kur ishin shumë larg njëri-tjetrit.
Samuel Pirs priti më tepër se një vit letrën e parë nga Keri pasi ai ishte larguar për në Indi. Por kur ajo erdhi, ja se çfarë i shkroi Kerit,
Ajo që na tregove na frymëzoi me një zell të ri, dhe na forcoi shumë duart tona në Zotin. Lexuam, qamë, lavdëruam dhe u lutëm. Oh, kush tjetër përveç të krishterëve ndjen kënaqësi të tillë të lidhur me miqësinë për Zotin tonë të dashur Jezu Krisht? (faqja. 58)
A nuk është kjo një frazë madhështore, “Miqësi PËR Zotin tonë të dashur Jezu Krisht.”
Ajo për të cilën po ju bëj thirrje këtë mëngjes është që të gjithë të formoni miqësi PËR Jezu Krishtin – të keni një grusht miqsh në besim me një besëlidhje reciproke që vazhdimisht do ta drejtoni njëri-tjetrin tek Jezu Krishti për shpresë dhe forcë.
3. Forconi njëri-tjetrin në Perëndinë
Ky është mësimi i tretë. Forca që duhet t'i japim njëri-tjetrit është forca në Perëndinë, jo në veten tonë. Vargu 16 nuk thotë se Jonatani erdhi deri në Horesh për të përforcuar besimin e Davidit tek vetja e tij. Nuk bëri këtë. Thuhet që ai u çua dhe shkoi tek Davidi në Horesh dhe forcoi duart e tij në Perëndinë.
Ky është ndryshimi mes shoqërisë së krishterë dhe gjithë grupeve të mbështetjes, terapisë dhe ndihmës për veten. Këtu kemi një lloj paradoksi, nga njëra anë them, kam nevojë për ju. Perëndia ju ka vajosur si një mjet hiri për të më ndihmuar të ngulmoj deri në fund. Por nga ana tjetër, duhet të them që e vetmja mënyrë që mund të më ndihmoni vërtet është duke thënë apo bërë diçka që do më bëjë të mbështetem tek Perëndina dhe jo tek ju.
Ja ku jemi sërish me temën tonë të përbashkët, një përqëndrim radikal tek Perëndia në gjithë sa bëjmë, edhe në bashkësinë tonë njerëzore, në shoqërinë, në miqësinë. Ajo duhet të jetë një miqësi PËR Jezusin. Çdo grup i krishterë që ekziston duhet të ekzistojë për të forcuar njëri-tjetrin në Perëndinë dhe jo në njerëzit. Ky është mësimi i tretë në tekstin tonë, “Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.”
4. T'i kujtojmë njëri-tjetrit premtimet e Perëndisë
Përfundimisht, si e bëri ai këtë gjë? Si e bëjmë ne? Jonatani tha (vargu 17), “ Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë”
Si e dinte Jonatani se Davidi do ishte mbret mbi Izraelin? Ata ishin shokë të ngushtë prandaj është e vështirë të imagjinojmë që Davidi nuk i kishte thënë Jonatanit për ndodhinë e kapitullit 16 kur profeti Samuel e kishte vajosur Davidin si djalosh për të qenë mbret mbi Izraelin. Prandaj mënyra si Jonatani e forcoi Davidin në Perëndinë ishte duke i kujtuar atij një premtim që Perëndia i kishte bërë (1 Samueli 16:12). Sauli nuk mund të kishte sukses kundër Davidit për shkak se Perëndia ishte me të. Prandaj Jonatani e forcoi Davidin në Perëndinë duke i kujtuar fatin e tij në qëllimet e Perëndisë. Kështu është edhe me ne: Ne e forcojmë njëri-tjetrin në Perëndinë duke i kujtuar njëri-tjetrit premtimet e Perëndisë që janë veçanërisht të përshtatshme për nevojat e njëri-tjetrit.
Çfarë do të kishit nevojë të dëgjonit nga shokët tuaj nëse do të ishit Uilliam Keri, 24,000 kilometra larg nga shtëpia duke luftuar luftën e besimit me një shok dhe i rrethuar nga miliona jobesimtarë? Do kishit nevojë për diçka të tillë, fjalët e Samuel Pirs, një mik i çmuar që e dinte si t'i forconte duart e Kerit në Perëndinë. Dëgjoni sesi premtimet e Perëndisë mbushin këtë letër nga 4 Tetori1794.
Vëlla, dëshiroj të isha përkrah teje dhe të merrja pjesë në të gjitha peripecitë e sulmit – një sulm të cilin asgjë nuk mund ta bëjë të pasuksesshëm përveçse frika. Po, Kapiteni i shpëtimit tonë marshon në krye. Nganjëherë ai mund ta tërheqë praninë e tij (por jo fuqinë) për të vënë në provë aftësinë tonë me krahët tanë frymërorë dhe armatimin qiellor. Çfarë nuk mund të bëjë besimi i gjallë për një ushtar të krishterë! Do ta sjellë Çlirimtarin prej qiellit, do ta mbështjellë me një mantel të zhytur në gjak, do ta vendosë në krye të betejës, do të vendosë një këngë të re në gojën tonë - “Ata bënë luftë kundër Qengjit, por Qengji do t'i mundë.” Po, do t'i mundë, fitorja është e sigurtë para se të hyjnë në betejë, kurora tashmë është përgatitur për të zbukuruar kryet tona, madje kurora e lavdisë që nuk fishket, tashmë kemi vendosur çfarë të bëjmë me të, do ta hedhim para këmbëve të ngadhnjimtarit dhe do themi, “Jo neve o Zot jo ne, por emrit tënd jepi lavdi.” ndërsa i gjithë qielli bashkohet në kor, “Qengji është i denjë.” (Kujtime, faqja 66).
Jo të gjithë ne e kemi dhuntinë që t'i forcojmë shokët tanë me fjalë të tilla. Por nëse e zhysni mendjen tuaj në Fjalën e Perëndisë dhe të meditoni rreth saj ditë e natë ashtu si thotë Psalmi 1, atëherë do të jeni një burim uji të gjallë dhe do të forconi duart e shumë vetëve në Perëndinë. Thirrja e Perëndisë për ju këtë mëngjes është, Ejani, le të forcojmë duart e njëri-tjetrit në Perëndinë! Amen.