Pasion për supremacinë e Perëndisë, Pjesa 2
Perëndia është i përqëndruar tek Vetja
Me përpjekjen e djeshme për të shkrirë akullnajën dhe për të përhapur një pasion për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjërat, për gëzimin e të gjithë popujve, tentova të theksoj idenë që Perëndia bën gjithçka që bën për lavdinë e emrit të tij. Perëndia madhëron Perëndinë. Zemra më pasionante për Perëndinë në gjithë universin është zemra e Perëndisë. Kjo ishte pika kryesore. Konferenca Pasion '97, ashtu si e kuptoj unë ka të bëjë me pasionin e Perëndisë për Perëndinë. Gjithë sa ai bën, nga krijimi në konsumim, e bën duke pasur parasysh shpalosjen dhe lartësimin e lavdisë së emrit të tij.
Përqëndrimi i Perëndisë tek Vetja e Vet nuk është mungesë dashurie
Pika e dytë nga dje ishte që kjo gjë nuk tregon mungesë dashurie. Arsyeja pse nuk tregon mungesë dashurie që Perëndia të lartësojë veten në këtë mënyrë është për shkak se njohja e Perëndisë dhe rrëmbimi në lavdërimet e Perëndisë është ajo çka e kënaq shpirtin njerëzor. “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.” (Psalmi 16:11). Prandaj nëse fakti që Perëndia lartëson Veten e Vet, deri në atë shkallë që ne të mund ta shohim sesi është në të vërtetë, është ajo që e kënaq shpirtin tonë, atëherë Perëndia është e vetmja qënie në gjithë universin për të cilin vetëlartësimi është virtyti më i lartë dhe thelbi i dashurisë.
Ju nuk mund ta kopjoni Perëndinë në këtë pikë. Në shkallën që e lartëson veten tënde që një person tjetër të kënaqet me këtë gjë, në atë shkallë urren dhe nuk do, për shkak se e shpërqëndron atë prej të vetmit person që mund ta kënaqë shpirtin e tij. Prandaj, ne nuk mund ta imitojmë Perëndinë në këtë pikë. Perëndia është e vetmja qënie unike absolute në gjithë universin për të cilin vetëlartësimi është thelbi dhe themeli i dashurisë. Nëse ai është Perëndi duhet të jetë kështu.
Ne mund të dëshirojmë që ai të dojë ashtu si duan njerëzit, duke i bërë të tjerët qëndrorë, por ai nuk mund ta bëjë këtë dhe ende të tjetë Perëndi. Ai është pafundësisht i çmuar në vetvete. Nuk ka asnjë tjetër përveç Perëndisë. Prandaj për ta thënë shkoqur, ai smund të jetë gjë tjetër përveçse madhështor, i lavdishëm, i gjithë mjaftueshëm dhe i vetë mjaftueshëm, pa asnjë nevojë për ty. Ky është themeli i hirit. Nëse përpiqesh ta bësh veten qendër të hirit, nuk është më hir. Hiri që ka Perëndinë në qendër është hir biblik.
Kënaqësia ime nuk qëndron në faktin që Perëndia të më bëjë mua qendrën e universit. Kënaqësia ime është që Perëndia është qendra e universit, përgjithmonë, ai më tërheq në miqësi me të, ta shoh, ta njoh, të kënaqem me dhe në të, ta çmoj atë, për gjithë përjetësinë.
Ky ishte mesazhi i djeshëm.
Rrjedhojat e përqëndrimit të Perëndisë tek Vetja për njerëzimin
Nëse ajo që kam thënë deri tani është e vërtetë, nëse është biblike, atëherë ka një rrjedhojë marramendëse për jetën tuaj. Rrjedhoja është kjo: kur të largoheni nga ky vend, të ktheheni në kishat apo universitetet tuaja, ajo që duhet të bëni është të përqafoni si thirrjen tuaj për të qenë sa më të lumtur që të keni mundësi, në Perëndinë. Prandaj thirrja ime për ju tani është, në emrin e Perëndisë së Gjithëfuqishëm, ta bëni thirrjen tuaj të përjetshme që të ndiqni kënaqësinë tuaj me gjithë forcën që Perëndia derdh fuqishëm brenda jush.
Problemi im dhe juaji në jetë, nuk është që po ndiqni kënaqësinë tuaj kur në fakt duhet të bëni detyrën. Ky nuk është vlerësimi im, i Perëndisë apo i Biblës për problemin tuaj. C. S. Ljuis kishte plotësisht të drejtë në predikimin e tij “Pesha e Lavdisë” kur tha që problemi ynë është që ne kënaqemi tepër kollaj, jo që po ndjekim kënaqësinë tonë me shumë zell. Ai thotë që ne jemi si fëmijë që luajmë me kulaçë balte në moçal për shkak se s'mund ta imagjinojmë si janë pushimet në bregdet. Problemi ynë është që po shtrëngojmë fort idhujt tanë prej teneqeje ndërsa qëndrojmë përballë një realiteti të artë. Ne kënaqemi tepër kollaj. Problemi me botën nuk është hedonizmi, është dështimi i hedonizmit për të ndjekur atë që të kënaq me të vërtetë. Ky është mesazhi im këtë mëngjes.
Zbatimi i kësaj gjëjë, nëse është e vërtetë, është që duhet të zgjoheni në mëngjes dhe ashtu si Xhorxh Myller para se të dalë dhe të bëjë ndonjë gjë, të thoni, “Duhet që zemra ime të lumturohet në Perëndinë ndyshe nuk do jem i dobishëm për askënd. Kam për t'i përdorur dhe do përpiqem të bëj që ata të plotësojnë dëshirat dhe mangësitë e mia.” Nëse dëshiron të jesh person i dashur, nëse dëshiron të jesh i lirë për të dhënë jetën tënde për të tjerët, duhet të kesh si synim tëndin të jesh i lumtur në Perëndinë. Ky është mesazhi i sotëm: ne kënaqemi tepër kollaj.
Ne jemi kapur pas kënaqësive shumë të vogla, jetë shkurtra, të pamjaftueshme dhe që nuk kënaqin në të vërtetë, kështu kapaciteti ynë për gëzim është tkurrur deri në atë pikë sa e kemi bërë detyrën pa gëzim thelbin e virtytit për të maskuar në këtë mënyrë zemrat tona të patransformuara që nuk mund të preken prej Perëndisë. E dalloni çfarë eskapizmi është ky? Këtë mëngjes jam në një fushatë kundër Stoikëve dhe Emanuel Kantit, filozofit të Iluminizmit i cili tha, “në atë shkallë që kërkoni përfitimin tuaj në një veprim moral, në po atë shkallë e zvogëloni vlerën e tij.” Ky nuk është mësimi i Biblës... dhe po e shkatërron gjithandej adhurimin, virtytin, kurajon dhe përqëndrimin tek Perëndia. Kjo gjë lartëson njeriun, të virtytshmin që bën detyrën pa marrë parasysh Perëndinë që t'i kënaqë shpirtin. Larg prej kësaj! U shporrtë prej zemrave tona përgjithmonë.
Jam në një fushatë kundër diçkaje të pranishme në atmosferën ungjillore. Hyra në këtë fushatë 25 vite me parë, dhe kam vazhduar në të qysh atëherë, jam përpjekur të udhëheq familjen time në këtë gjë, të ngre një kishë, të shkruaj libra rreth kësaj gjëje, jam përpjekur ta jetoj. Dalë nga dalë vijnë edhe kundërshtimet. Kështu rritesh. Disa prej jush më kanë treguar që ndjeni që bota juaj po kthehet kokë poshtë prej kësaj konference. Ideologjitë po shkunden. Revolucione Kopernikiane po fillojnë, dhe kjo është tamam mënyra sesi filloni të ndryshoni. Mund të duhen 15 vjet... kundërshtim pas kundërshtimi. Në vitin 1968 nisa t'i dalloja disa prej këtyre gjërave me ndihmën e Dan Fullerit, C. S. Ljuisit, Xhonatan Eduardsit, Mbretit David, Shën Palit dhe Jezu Krishtit. Mënyra si funksionon mendja ime është që kur kundërshtimet vijnë njëri pas tjetrit unë stepem, pastaj shkoj tek Bibla, qaj, përleshem, pyes, lutem dhe flas. Pastaj pak e nga pak kundërshtimet e qartësojnë vizionin.
Kundërshtime
A ju mëson Bibla në të vërtetë që duhet të ndiqni gëzimin tuaj me gjithë zemër, mendje, shpirt dhe forcën tuaj? Apo mos vallë kjo është hermeneutika e mençur e Xhon Pajpërit për t'i kushtuar vëmendje?
Çfarë mund të themi për vetëmohimin? A nuk tha Jezusi, “Nëse dikush do të më ndjekë le të mohojë veten?”
A nuk po theksojmë emocionet më shumë se duhet? A nuk është thelbi i Krishterimit punë vullneti, duke bërë zotime dhe vendime?
Çfarë do bëhet me konceptin fisnik për t'i shërbyer Perëndisë si detyrë edhe kur është e vështirë dhe nuk ndiheni që doni ta bëni këtë gjë?
A nuk më vendos kjo gjë mua dhe jo Perëndinë në qendër të gjërave?
Përgjigje ndaj kundërshtimeve
1. A na mëson Bibla në të vërtetë që duhet të ndiqni gëzimin tuaj?
Përgjigja ime është po, dhe këtë e bën në të paktën katër mënyra:
a) Me urdhërime
Konsideroni Psalmi 37:4, “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin.” Ky nuk është sugjerim, është urdhërim. Nëse beson, “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.” është diçka të cilës duhet t'i bindesh, atëherë duhet që gjithashtu të besosh, “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin.”
Ose Psalmi 32:11, “Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.” Apo Psalmi 100, “I shërbeni Zotit me gaz.” Ky është urdhërim, “I shërbeni Zotit me gaz.” Në atë shkallë që jeni indiferentë ndaj shërbimit të Zotit me gëzim ose jo, jeni indiferente ndaj Perëndisë. Ai ju tha që duhet t'i shërbeni Zotit me gëzim. Ose Filipianët 4:4, “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!”
Urdhërime të tilla gjenden kudo në Bibël. Po flasim për urdhërime. Kjo është mënyra e parë sesi Bibla na e mëson këtë të vërtetë.
b) Me kërcënime.
Xheremi Tajlër një herë tha kështu, “Perëndia na kërcënon me gjëra të tmerrshme nëse nuk jemi të lumtur.” Kur e dëgjova për herë të parë mendova që ishte goxha me mend. Nuk është thjesht diçka me mend... është citim prej Ligjit të Përtërirë 28:47, dhe është goxha tronditës. “Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë, do t’u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundër teje.” Perëndia na kërcënon me gjëra të tmerrshme nëse nuk do të jemi të lumtur në të. A nuk është kjo një leje për hedonizëm apo jo? A nuk është një garanci për ta bërë thirrje të jetës suaj që të ndiqni gëzimin tuaj në Perëndinë me gjithë forcën tuaj?
c) Duke e prezantuar besimin shpëtues thelbësisht si të qenurit i kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ju në Jezusin.
Për shembull, Hebrenjve 11:6, “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.” Nëse doni t'i pëlqeni Perëndisë duhet të keni besim. Çfarë është besimi? Të shkosh tek ai që është tamam me atë pritje të thellë që ai do të të shpërblejë për faktin që erdhe. Nëse nuk e besoni këtë, ose po të shkoni tek Perëndia për ndonjë arsye tjetër, nuk mund t'i pëlqeni Atij.
Ose shihni Gjoni 6:35 ku Jezusi thotë, “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.” Këtë shënojeni, kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. Çfarë do të thotë kjo rreth besimit? Çfarë është besimi? Besimi, sipas teologjisë së Gjonit do të thotë të shkojmë tek Jezusi për kënaqësinë e shpirtit tonë në atë mënyrë që nuk mund të na kënaqë asgjë tjetër. Ky është besimi. Besimi nuk është diçka tjetër nga ajo për të cilën po flas. Po e shtjelloj Krishterimin bazë me një gjuhë me të cilën jeni më pak të njohur.
d) Duke e përkufizuar mëkatin si marrëzinë e harrimit të ndjekjes së kënaqësisë tuaj në Perëndinë.
Mëkati është marrëzia e harrimit të ndjekjes së kënaqësisë tuaj në Perëndinë. Ja teksti, Jeremia 2:12-13, “'Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë,' thotë Zoti. 'Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin'.” Me tregoni, çfarë është ligësia? Përkufizimi i ligësisë, ajo çka e habit universin, që i bën engjëjt e Perëndisë të thonë, “Jo! Nuk ka mundësi!”...çfarë është? Është kjo, të shohësh Perëndinë, burimin e ujit të gjallë që plotëson çdo kënaqësi dhe të thuash, “Jo, faleminderit,” dhe pastaj të kthehesh nga televizioni, seksi, festat, alkooli, paraja, prestigji, shtëpia, pushimet, një program i ri kompjuterik dhe të thuash “Po!” Kjo është marrëzi! Dhe sipas Jeremia 2:12 kjo bën që qiejtë të habiten.
Bibla thotë në të paktën katër mënyra që Xhon Pajpër po mëson të vërtetën këtë mëngjes kur ju thotë t'ia kushtoni jetën tuaj ndjekjes së kënaqësisë suaj në Perëndinë. Prandaj kundërshtimi 1 është hedhur poshtë.
2. Çmund të themi për vetëmohimin?
A nuk tha Jezusi tek Marku 8:35, “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” Kryqi është një vend ku vdes, një vend ekzekutimi. Nuk është një vjehrrë e bëzdisur, apo një shok dhome i vështirë, nuk është një sëmundje në kockat tuaja. Është vdekje ndaj vetes. Prandaj Pajpër, je duke bërë herezi kur na thërret të ndjekim kënaqësinë e shpirtit tonë si thirrjen e jetës tonë. Këtë e kam ndjerë.. pastaj lexova pjesën tjetër të vargut (thjesht të ndihmon që ndonjëherë të lexosh kontekstin), “sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.” Cila është logjika këtu? Cila është logjika e Jezusit në këto vargje?
Logjika është kjo:
-“O dishepujt e mi, mos e humbisni jetën tuaj. Mos e humbisni. Shpëtojeni jetën tuaj! Shpëtojeni!”
-“Si?...si Jezus?”
-“Humbeni.”
-“Nuk po kuptojmë...nuk po kuptojmë Jezus.”
-“Ajo që dua të them është kjo, dishepujt e mi shumë të dashur, humbeni jetën në kuptimin që humbisni gjithçka por jo mua. 'Nëse kokrra e grurit nuk bie në tokë dhe të vdesë, nuk jep fryt. Por nëse vdes jep shumë fryt.' Vdisni për botën. Vdisni për prestigjin, vdisni për pasurinë, vdisni ndaj seksit të mëkatshëm, vdisni ndaj mashtrimit për të ecur përpara, vdisni ndaj nevojës që njerëzit t'ju aprovojnë. Vdisni dhe do më keni mua.”
Unë besoj në vetëmohim. Mohojini vetes teneqenë për të patur ar. Mohojini vetes rërën për të qëndruar mbi një shkëmb. Mohoji vetes ujin e ndënjur për të pasur verë. Nuk ka vetemohim përfundimtar, dhe Jezusi nuk e tha kurrë me këtë qëllim. Unë besoj në vetëmohim. Besoj tek kjo fjalë për Jezusin e thënë nga vetë Jezusi, “Mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e sheh, dhe, nga gëzimi që ka shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.” (Mateu 13:44). Këtë po e quan vetëmohim? Po! Ai shiti gjithçka. E konsideroi gjithçka si humbje dhe pleh për të fituar Krishtin.
Po. Ky është vetëmohim, dhe Jo, nuk është vetëmohim. Ekziston një vete që duhet kryqëzuar, vetja që do botën. Por vetja e re, vetja që do Krishtin mbi gjithçka tjetër dhe gjen kënaqësinë e vet tek Ai, atë mos e vrisni. Ky është krijimi i ri. Këtë vete ushqejeni edhe me tepër me Perëndinë.
Oh, unë besoj në vetëmohim. Besoj në vetëmohimin që i riu pasanik nuk mund ta kuptonte ndërsa Jezusi po e mësonte në moment:
''Shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq''. Ai nuk donte ta bënte këtë gjë. Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet. ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij....dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ''Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''. Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme. Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët”. (Marku 10:17-31)
Po unë besoj në vetëmohim. Besoj që duhet t'i mohoj vetes gjithçka që mund të më pengojë të kënaqem plotësisht në Perëndinë, kështu e kuptoj unë çfarë do të thotë Bibla me vetëmohim. Besoj që David Livingstone dhe Hadsën Tejlër, këta misionarë të mëdhenj, kishin plotësisht të drejtë, kur arritën në fund të jetës së tyre, pasi kishin humbur bashkëshortet, shëndetin dhe gjithçka tjetër përveç një gjëje, që t'u thoshin studentëve të Universitetit të Kembrixhit dhe njerëzve gjithandej, “Nuk bëra kurrë sakrificë.” Kështu është! E di çfarë duan të thonë, dhe ju e dini gjithashtu. Besoj që Xhim Eliot që e dha jetën e vet kur ishte djalë i ri kishte plotësisht të drejtë kur tha, “Nuk është i marrë ai që jep atë që nuk mund ta mbajë për të fituar atë që nuk mund ta humbasë.” Këtë besoj për vetëmohimin. Prandaj kundërshtimi numër 2 është hedhur poshtë.
*3. A nuk po i mbithekson emocionet? *
A nuk është thelbi i Krishterimit vendimi? Përkushtim i vullnetit? A nuk janë emocionet dytësore, opsionale, ekstra? Mënyra sesi ti Pajpër flet për Krishterimin mendoj që lartëson emocionet në një vend jobiblik rëndësie.
Por pastaj lexova Biblën - kur je në një debat leximi i Biblës të ndihmon - dhe atëherë pashë këtë gjë:
Jemi urdhëruar të ndjejmë gëzim: Filipianëve 4:4, “Gëzohuni në Zotin.”
Jemi urdhëruar të ndjejmë shpresë: Psalmi 42:5, “Shpreso në Perëndinë.”
Jemi urdhëruar të ndjejmë frikë: Luka 12:5, “Kini frikë prej atij që mund ta hedhë trupin dhe shpirtin në ferr.”
Jemi urdhëruar të ndjejmë paqe, “Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja” (Kolosianëve 3:15).
Jemi urdhëruar të ndjejmë zell: “Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë.” (Romakëve 12:11). Kjo nuk është opsionale, nuk është ekstra. Është urdhërim! “Mos u tregoni të përtuar në zell!”
Jemi urdhëruar të ndjejmë vajtim: “Qani me ata që qajnë.” (Romakëve 12:15). Nuk keni zgjedhje. Duhet të qani, duhet të ndjeni vajtim me ata që vajtojnë.
Jemi urdhëruar të ndjejmë dëshirë: “Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij.” (1 Pjetri 2:2). Kjo nuk është opsionale. Nuk mund të thoni, “Nuk mund ta ngjall mjaft dëshirën, prandaj si mund t'i bindem këtij urdhërimi? Nuk mund të jetë urdhërim.” Gabim! Po, ju nuk mund t'i ngjallni apo shuani këto ndjenja me vullnet. Jo, por përsëri janë obligime. Këtu qëndron gjëndja jonë e dëshpëruar për të cilën dëgjuam mbrëmë.
Gjithçka që po ju them për të cilën jeni urdhëruar ta bëni tani, nuk mund ta bëni në këtë moment, me fuqinë e vullnetit apo me përkushtim. Këtë mund ta bëni vetëm përmes një mrekullie. A nuk ndiheni të dëshpëruar? A nuk është gjë dëshpëruese nëse ju thuhet prej Perëndisë së Gjithëfuqishëm që duhet të bëni atë që nuk mund ta bëni? Nëse zemra juaj do ishte si duhet do t'i bënit. Ne jemi të shthurur dhe urdhërohemi të ndjejmë zemërbutësi: “Jini të mirë dhe zemërbutë njëri me tjetrin.” Nuk mund të thoni që falje është thjesht të thuash, “Më vjen keq.” Duhet ta ndjeni.
- Jemi urdhëruar të ndjejmë mirënjohje. Mendoni për një fëmijë në mëngjesin e Krishtlindjes që merr një dhuratë nga gjyshja...çorape të zeza! Ehhh! Asnjë fëmijë nuk do që të marrë dhuratë për Krishtlindje çorape, lëre më pastaj çorape të zeza. Pastaj i thoni, “Thuaji faleminderit gjyshes.” Pastaj fëmija thotë, “Faleminderit për çorapet.” Bibla nuk flet për këtë gjë. Fëmija mund ta bëjë këtë gjë me forcën e vullnetit. Por ai nuk mund të ndiejë mirënjohje për çorapet përmes forcës së vullnetit. Edhe ju nuk mund të ndjeni mirënjohje ndaj Perëndisë përmes forcës së vullnetit sipas urdhërimit tek Efesianëve 5:20, “duke falenderuar vazhdimisht për çdo gjë”. Atëherë nuk kemi shpresë veçse po të veprojë Perëndia i Gjithëfuqishëm.
Kundërshtimi numër 3? Nuk e pranoj. Nuk besoj që jam duke i lartësuar ndjenjat dhe emocionet më lart nga sa i vendos Bibla. Mendoj se jam duke i rivendosur ato nga pozita tepër e ulët në të cilën i kanë hedhur feja Amerikane vendim marrëse, plot përkushtim dhe vullnet për shkak se kanë dalë jashtë kontrollit.
4. Çmund të thuash për vizionin fisnik për t'i shërbyer Perëndisë?
A nuk është detyrë t'i shërbejmë Perëndisë? Nuk duket si shërbim nga mënyra si ju flisni për Krishterimin, Pajpër. Thjesht nuk tingëllon njëlloj si detyrë shërbimi, përqafim i sfidës apo të kryesh vullnetin e Perëndisë kur është e vështirë.
Për këtë kam mësuar si të përgjigjem. “Le të shohim disa tekste që i japin formë metaforës së shërbëimit.” Të gjitha metaforat rreth marrëdhënies tuaj me Perëndinë, qoftë si shërbëtor, si bir, si bijë, si mik kanë brenda tyre elemente që po t'i theksoni do jenë të rreme. Ata kanë gjithashtu elemente të cilat po t'i theksonin do ishin të vërtetë. Atëherë, çfarë është false dhe çfarë është e vërtetë në analogjinë e shërbimit?
Tekstet që ju ndihmojnë t'i veçoni këto gjëra në mënyrë që të mos blasfemoni kur shërbeni janë tekste si Veprat 17:25, “Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë.” Miq, Perëndisë nuk i shërbehet. Kujdes. Atij nuk i shërbehet sikur të kishte nevojë për ju apo shërbimin tuaj. Ai nuk ka nevojë. Ose merrni një tekst si Marku 10:45, “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.” Ai nuk erdhi që t'i shërbehet. Kujdes! Kujdes! Nëse merrni përsipër t'i shërbeni atij atëherë jeni duke shkuar kundër qëllimit të tij! Ngatërruese, apo jo. Pali e quajti veten shërbëtor i Zotit pothuaj në çdo letër që shkroi. Dhe këtu tek Veprat 17:25 dhe Marku 10:45 thuhet që Perëndisë nuk i shërbehet dhe Biri i Njeriut erdhi që të shërbejë dhe jo t'i shërbejnë. Duhet të ketë një lloj shërbimi që është i lig dhe një tjetër që është i mirë. Cili është shërbimi i mirë?
Shërbimi i mirë është 1 Pjetri 4:11, “kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia.” Perëndisë nuk i shërbehet nga duart e njerëzve sikur të kishte nevojë ndonjë gjë. Duhet të gjeni një mënyrë për të adhuruar, për të shkruar, për të dëgjuar leksione, për t'i dhënë makinës, për të ndërruar një bebelinë, për të predikuar, që gjithmonë ju të jeni marrësi. Për shkak se lavdinë e merr dhënësi, kurse marrësi merr gëzimin. Sa herë që e shkelim Veprat 17:25, “Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve [sikur ai të ishte marrësi], sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë” - atëherë blasfemojmë.
Dje i tregova grupit udhëheqës të kësaj konference ilustrimin nga Mateu 6:24 rreth shërbimit ku thuhet, “Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” Ja pra këtu po flasim për shërbim. Si mund t'i shërbesh parasë? Nuk i shërbeni parasë duke plotësuar nevojat e saj. Ju i shërbeni parasë duke e pozicionuar jetën tuaj pa rezerva, me gjithë energjinë, kohën dhe përpjekjet për të përfituar prej parasë. Mendja juaj punon sesi të bëni një investim me mend, si të gjeni ofertën më të mirë, si të investoni pak dhe të merrni shumë, jeni të përpirë me maninë si të përfitoni prej parasë, për shkak se ajo është burimi juaj.
Nëse kjo është e vërtetë rreth mënyrës si i shërbeni parasë, si mund atëherë t'i shërbeni Perëndisë? Është tamam e njëjta gjë: e poziciononi veten, e manovroni jetën, kushtoni energji, përpjekje, kohë dhe krijimtari për ta vendosur veten poshtë ujëvarës së bekimit të vazhdueshëm të Perëndisë, në mënyrë që ai të mbetet burimi dhe ju marrësi. Ju mbeteni përfituesi, ai mbetet bamirësi, ju mbeteni të uritur, ai mbetet buka, ju mbeteni të etur, ai mbetet uji. Nuk e bëni kurrë atë shkëmbim blasfemues rolesh me Perëndinë. Duhet të gjeni një mënyrë për të shërbyer në forcën që Perëndia siguron. Kur jam duke shërbyer nuk jam duke marrë. Ndryshe e vendos Perëndinë në pozitën e përfituesit, unë bëhem bamirësi i tij dhe tani unë jam Perëndi. Në botë ka shumë fe të tilla. Prandaj kundërshtimi 4 bie poshtë.
*5. A nuk po vendos veten në qendër? *
“Ju flisni për ndjekjen e gëzimit dhe kënaqësisë tuaj. Flisni për detyrën si diçka tjetër nga ajo që kemi ditur gjithmonë, dhe thoni që duhet të kemi kujdes me shërbimin. Mua më tingëllon sikur jeni duke manovruar dhe manipuluar gjuhën biblike thjesht për të vendosur veten në qendër.” Ky do ishte kriticizmi më shkatërrues nga të gjithë, apo jo?
Ja përgjigja ime: Jam i martuar prej 28 vjetësh qysh prej 21 Dhjetorit. E dua Noelen shumë. Kemi kaluar shumë gjëra bashkë, kohë vërtet të vështira dhe kohë shumë të mira. Kemi parë sesi fëmijët tanë adoleshentë kanë kaluar përgjatë disa viteve të vështira të adoleshencës. Qaj më lehtë kur mendoj për djemtë dhe vajzën tonë të vogël. Imagjinoni sikur në 21 Dhjetor të kthehesha në shtëpi me 28 trëndafila të kuq të fshehur pas shpine dhe t'i bija ziles së derës. Noela vjen tek dera, duket disi e habitur për faktin përse i rashë ziles së shtëpisë time, dhe unë nxjerr tufën me trëndafila dhe i them, “Gëzuar përvjetorin Noela.” Dhe ajo më thotë, “Xhoni, janë shumë të bukur! Përse e bëre?” Dhe unë i them, “E kam për detyrë.”
Përgjigja e gabuar. Kthehemi sërish.
Ding Dong.
-“Gëzuar përvjetorin Noel!”
-“Xhoni, janë shumë të bukur! Përse e bërë?”
-“Asnjë gjë nuk më bën më të lumtur sesa të të blej trëndafila. Në fakt, përse të mos shkosh të ndërohesh, për shkak se kam gjetur një bebisiter dhe sot do dalim të bëjmë diçka të veçantë për shkak se nuk ka asgjë që do doja të bëja sot përveçse ta kaloj mbrëmjen me ty.”
Përgjigja e duhur.
Pse? Përse nuk do të thotë, “Ti je hedonisti i Krishterë më egoist që kam takuar ndonjëherë! Gjithë sa mendon është çfarë të bën ty të lumtur!” Çfarë po ndodh? Përse është detyra përgjigja e gabuar dhe kënaqësia përgjigja e duhur? A e kuptoni?
Nëse kuptoni këtë atëherë e keni kapur, mund të kthehem në Miniapolis dhe të lavdëroj Perëndinë. Gruaja ime lëvdohet më tepër në mua kur unë kënaqem më tepër në të. Nëse përpiqem ta ndryshoj marrëdhënien tonë në një marrëdhënie shërbimi, një marrëdhënie detyre ku nuk kërkoj kënaqësinë time në të, ajo do të përbuzet... kështu ndodh edhe me Perëndinë. Kur të shkoni në qiell dhe Ati ju sheh e ju thotë, “Përse ke ardhur këtu? Përse e dhe jetën tënde për mua?”, më mirë të mos thoni, “Ishte detyra ime të vija, për shkak se jam i Krishterë.” Më mirë të thoni, “Ku do doja të shkoja tjetër? Tek kush mund të shkoja? Ti je dëshira e shpirtit tim!” Kjo është dhe arsyeja e kësaj konference. Kjo konferencë ka të bëjë me dy gjëra madhështore që vijnë së bashku në brezin 268 nga Isaia 26:8, është pasioni i Perëndisë për emrin dhe famën e tij dhe pasioni i zemrës time për t'u kënaqur në të gjitha dëshirat e mia. Këto janë dy gjëra të palëkundshme në univers. Ajo që shpresoj të keni parë është që këto të dyja janë një, për shkak se Perëndia, emri dhe fama e tij lavdërohen më tepër në mua kur unë kënaqem më tepër në të.