I Shenjtë, I Shenjtë, I Shenjtë është Zoti i Ushtrive
Më 1 Qershor 1973, Çarls Kolson vizitoi mikun e tij Tom Filips, ndërsa skandali i Uotergejtit shpërtheu në gazeta. Ai u çudit dhe u shokua nga shpjegimi i Filipsit që ai kishte “pranuar Jezu Krishtin.” Por ai vuri re që Tomi kishte paqe kurse ai nuk kishte. Kur Kolsoni u largua nga shtëpia, po qante aq shumë saqë nuk mundte dot as të fuste çelësin për të ndezur makinën. Ai shpjegon,
Atë natë u përballa me mëkatin tim, jo thjesht me hilet e pista të Uotergejtit, por me mëkatin thellë brenda meje, ligësinë e fshehur që jeton në çdo zemër njerëzore. Ishte e dhimshme dhe nuk mund t'i shpëtoja. I klitha Perëndisë dhe pashë se u tërhoqa në mënyrë të parezistueshme në krahët e tij të hapur. Kjo ishte nata kur ia dhashë jetën time Jezu Krishtit dhe nisa aventurën më të madhe të jetës time. (Të Duash Perëndinë, faqja. 247)
Kuptimi i ri i Çarls Kolsonit për Perëndinë
Kjo histori është treguar me qindra herë në dhjetë vitet e fundit. Na pëlqen ta dëgjojmë. Por shumë prej nesh kënaqen me këtë histori në jetën tonë dhe atë të kishës tonë. Por kjo nuk ndodhi me Çarls Kolsonin. Jo vetëm që ky burrë i regjur i Shtëpisë së Bardhë ishte i gatshëm të qante në vitin 1973, ai ishte gjithashtu i gatshëm të pendohej disa vite më vonë për një pikëpamje tmerrësisht të pamjaftueshme për Perëndinë. Kjo ndodhi gjatë një periudhe të pazakontë thatësire frymërore. (Nëse gjendesh në një të tillë, merr zemër! Më shumë shenjtorë nga sa mund ta kuptosh kanë patur përballje jetëndryshuese me Perëndinë mu në mes të shkretëtirës.) Një mik i sugjeroi Kolsonit se kishte parë një seri leksionesh në videokasetë prej R. C. Sproul rreth shenjtërisë së Perëndisë. Ja se çfarë shkruan Kolson në librin e tij të ri Të Duash Perëndinë (fq.14-15).
Gjithë sa dija për Sproul ishte që ai ishte teolog prandaj nuk isha entuziast. Në fund të fundit, arsyetova unë, teologjia ishte për njerëz që kishin kohë të studionin, të mbyllur në kullat e tyre të fildishta, larg prej fushëbetejës së nevojës njerëzore. Sidoqoftë, për shkak të nxitjes së mikut tim rashë dakord të shihja serinë e Sproulit.
Në fund të leksionit të gjashtë rashë në gjunjë, thellësisht në lutje, i mahnitur me shenjtërinë absolute të Perëndisë. Kjo ishte një eksperiencë jetëndryshuese ndërsa fitova një kuptim krejtësisht të ri rreth këtij Perëndie të shenjtë të cilit i besoja dhe e adhuroja.
Thatësira ime frymërore mori fund, por ky shijim i madhështisë së Perëndisë më bëri të etur për më tepër prej tij.
Në vitin 1973 Kolson kishte parë mjaft prej Perëndisë dhe vetes për të dalluar nevojën e tij të madhe për Perëndinë, kështu ishte shtyrë në mënyrë “të parezistueshme” (si thotë ai) në krahët e Perëndisë. Por pastaj disa vite më vonë ndodhi diçka tjetër e mrekullueshme. Një teolog foli për shenjtërinë e Perëndisë dhe Çarls Kolson thotë se ra në gjunjë dhe “fitoi një kuptim krejtësisht të ri për këtë Perëndi të shenjtë.” Nga ai moment ai kishte atë të cilën e quan një “oreks për madhështinë e Perëndisë.” A ke parë mjaft prej shenjtërisë së Perëndisë sa për të patur një oreks të parezistueshëm për madhështinë e tij?
Jobi e sheh Perëndinë në mënyrë të re
“Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes.” (Jobi 1:1). Jobi ishte besimtar, një njeri i lutjes dhe shumë i devotshëm. Sigurisht që ai e njihte Perëndinë ashtu si duhej. Sigurisht që ai kishte një “oreks për madhështinë e Perëndisë.” Por pastaj erdhën dhimbja dhe mjerimi i shkretëtirës së tij frymërore dhe fizike. Dhe në mes të errësirës së Jobit Perëndia i foli atij me madhështinë e vet:
A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten? A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij? Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim... shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli, shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen . . . Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore... Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje? Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja. (Jobi 40:8-14, 41:10-11).
Në fund Jobi reagon, ashtu si Kolsoni, ndaj një “kuptimi krejtësisht të ri për Perëndinë e Shenjtë.” Ai thotë,
Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja... Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh. Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin. (Jobi 42:3-6)
Këmbëngulje dhe Shpresë në Ndjekjen e Perëndisë së Shenjtë
A mund të ndodhë kjo në kishën tonë? Mund të ndodhë dhe po ndodh. Nëse nuk do të shihja asnjë shenjtë të kësaj, do të isha i detyruar të vazhdoja edhe pse e di që këmbëngulja është çelësi i rizgjimit. A. J. Gordon shkroi në librin e tij, Fryma e Shenjtë në Mision, faqet 139, 140:
Kaluan shtatë vjet para se Uilliam Keri të pagëzonte të kthyerin e parë në Indi, kaluan shtatë vjet para se Judson të fitonte dishepullin e tij të parë në Burma; Morison punoi shumë për shtatë vjet para se Kinezi i parë të besonte tek Krishti; Mofati shpalli se kishte pritur shtatë vjet për të parë lëvizjen e parë të dallueshme të Frymës së Shenjtë në fisin Bekuana në Afrikë, Henri Riçard punoi shtatë vjet në Kongo para se të fitohej i kthyeri i parë në Banza Manteka.
Këmbëngulja, lutja dhe mundimi është çelësi i rizgjimit. Po ashtu janë pritja dhe shpresa. Perëndia më ka dhënë shenja shprese që përjetimi i Isaias, Jobit dhe Çarls Kolsonit mund të ndodhin këtu nëse vazhdojmë të kërkojmë fort Perëndinë e Shenjtë. Për shembull, një prej anëtarëve tanë më shkroi një letër para një jave që thoshte se,
Shërbesa këtu më ka ngritur shumë herë më lart nga ato që i konsideroja maja malesh, drejt një tablloje më madhështore, më të lartë, më të madhe dhe më të lavdishme të Perëndisë në lartësi nga ç'mund ta kisha imagjinuar... Pikëpamja ime për Perëndinë u zgjerua gjithnjë e më tepër dhe prej madhështisë së tij të gjithëfuqishme rrjedh gjithçka, gjithëmjaftueshmëri. Gjatë këtyre dhjetë muajve që kam qenë në Kishën Baptiste Betlehem ka patur një rizgjim të mrekullueshëm në zemrën time dhe flaka digjet me më tepër shkëlqim dhe siguri se kurrë më parë.
Rizgjimi ndodh kur ne e shohim Perëndinë madhështor në shenjtëri dhe kur shohim veten si pluhur të pabindur. Thyerja, pendimi, gëzimi i patregueshëm i faljes, një “oreks për madhështinë e Perëndisë,” një uri për shenjtërinë e tij, për ta parë dhe për ta jetuar më tepër, ky është rizgjimi. Kjo vjen nga të parit e Perëndisë.
Shtatë Vështrime të Perëndisë në Vizionin e Isaias
Isaia na fton të marrim pjesë në vizionin e tij të Perëndisë tek Isaia 6:1–4.
Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij". Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym.
Shtatë vështrime të Perëndisë që i shoh në këto katër vargje, të paktën shtatë.
1. Perëndia është i Gjallë
Së pari, ai është i gjallë. Uziahu vdiq, por Perëndia jeton. “Nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.” (Psalmi 90:2). Perëndia ishte Perëndia i gjallë kur universi i tij erdhi në ekzistencë, Ai ishte Perëndia i gjallë kur Sokrati piu helmin dhe vdiq. Ai ishte Perëndia i gjallë kur Uilliam Bradfordi qeveriste Koloninë e Plejmuthit. Ai ishte Perëndia i gjallë në 1966 kur Tomas Altizer e shpalli atë të vdekur dhe revista TIME e vendosi këtë gjë në kapakun e saj. Ai do të jetë i gjallë dhjetë trilionë epoka nga tani kur të gjitha kundërshtimet qesharake ndaj realitetit të tij do të jenë zhdukur në harrim ashtu si guri në fund të Oqeanit. “Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin.” Nuk ka qoftë edhe një udhëheqës të vetëm shteti në gjithë botën që do të jetë këtu pas pesëdhjetë vitesh. Përqindja e vdekjes në udhëheqjen e botës është 100%. Brenda 110 viteve të shkurtra ky planet do të popullohet nga dhjetë miliardë njerëz të rinj dhe të gjithë ne që tani jetojmë do të jemi fshirë nga faqja e dheut ashtu si Uziahu. Por jo Perëndia. Ai nuk pati kurrë një fillim dhe si rrjedhim nuk është i varur prej asnjë gjëje për ekzistencën e tij. Ai ka qenë dhe gjithmonë do të jetë i gjallë.
2. Perëndia është Autoritar
Së dyti, ai është autoritar. “Pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë.” Asnjë vizion i qiellit nuk ka kapur një vizion të Perëndisë duke lëruar tokën, duke kositur barin, duke llustruar këpucët, duke plotësuar raporte apo duke ngarkuar një kamion. Qielli nuk është i shqetësuar. Perëndisë nuk i kanë dalë gjërat jashtë kontrollit në sferën e tij qiellore. Ai ulet. Ai ulet mbi një fron. Gjithçka është në paqe dhe Ai është në kontroll.
Froni është e drejta e tij për të sunduar botën. Ne nuk i japim Perëndisë autoritet mbi jetët tona. Ai e ka këtë autoritet, na pëlqen ne apo jo. Çfarë marrëzie është që të veprosh sikur ne të kishim ndonjë të drejtë për ta dyshuar Perëndinë! Herë pas here kemi nevojë të dëgjojmë fjalë të drejtpërdrejta si ato të Virxhinia Stem Ouens e cila tha në numrin e fundit të Ditarit të Reformuar,
Le ta kuptojmë këtë gjë drejt. Perëndia mund të bëjë gjithçka që i pëlqen, përfshirë këtu edhe mallkimin. Nëse i pëlqen të mallkojë, atëherë kjo bëhet, është thjesht fakt. Aktiviteti i Perëndisë është ai që është. Nuk ka asnjë gjë tjetër. Pa të nuk do të kishte qënie, përfshirë këtu qëniet njerëzore që hamendësojnë se mund të gjykojnë Krijuesin e gjithçkaje që ekziston.
Pak gjëra janë më përulëse, pak gjëra na japin atë ndjesi madhështi shqeto, si e vërteta që Perëndia është krejtësisht autoritar. Ai është Gjykata Supreme, Legjislatura, dhe Shefi Ekzekutiv. Pas tij nuk ka asnjë apelim.
3. Perëndia është i Gjithëpushtetshëm
Së treti, Perëndia është i gjithëpushtetshëm. Froni i autoritetit të tij nuk është një mes shumë të tjerëve. Ai ishtë i lartë dhe i ngritur. “Unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë.” Fakti që froni i Perëndisë është më i lartë se çdo fron tjetër tregon për fuqinë superiore të Perëndisë për të ushtruar autoritetin e tij. Asnjë autoritet kundërshtues nuk mund të anulojë dekretet e Perëndisë. Atë që ai ka për qëllim e realizon, "Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen" (Isaia 46:10). “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: "Çfarë po bën?". (Danieli 4:35). Të mbërthehesh prej gjithëfuqisë (apo sovranitetit) të Perëndisë është ose e mrekullueshme për shkak se ai është për ne, ose tmerruese për shkak se ai është kundër nesh. Indiferentizmi ndaj gjithëfuqisë së tij thjesht do të thotë se nuk e kemi parë ashtu si është në të vërtetë. Autoriteti sovran i Perëndisë së gjallë është një strehim plot gëzim dhe fuqi për ata që e ruajnë besëlidhjen e tij.
4. Perëndia është i Shkëlqyer
Së katërti, Perëndia është i shkëlqyer. “Unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.” Ju keni parë fotografi nusesh fustanet e të cilave i mbledhin rreth tyre duke mbuluar shkallët dhe platformën. Çfarë kuptimi do të kishte nëse cepat e fustanit do të mbulonin rrugica, karriget, podiumin e korit, duke qenë e gjitha një pjesë e vetme? Fakti që cepat e mantelit të Perëndisë mbushin gjithë tempullin qiellor do të thotë se ai është një Perëndi me shkëlqim të pakrahasueshëm. Plotësia e shkëlqimit të Perëndisë e tregon veten në një mijë manyra.
Një shembull i vogël, Rik - Ekskursionisti i Janarit ka një artikull për lloje peshqish që jetojnë thellë në detin e errët dhe kanë dritat e tyre, disa kanë llampa që u varen nga mjekra, disa kanë hundë që lëshon dritë, disa kanë rreze poshtë syve. Ka një mijë lloje peshqish që kanë dritën e tyre të cilët jetojnë thellë në oqean atje ku asnjë prej nesh nuk mund të shohë dhe të mrekullohet. Ata janë jashtëzakonisht të çuditshëm dhe të bukur. Përse janë atje? Pse të mos kishte vetëm nja dymbëdhjetë lloje efiçiente dhe të stërholluara? Për shkak se Perëndia është përplot shkëlqim. Plotësia e tij krijuese shprehet në bukuri të jashtëzakonshme. Nëse kjo është mënyra sesi është bota, sa më i shkëlqyer duhet të jetë Zoti që i mendoi dhe i krijoi këto gjëra!
5. Perëndia Druhet
Së pesti, Perëndia druhet. “Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.” Askush nuk e di se çfarë janë këto krijesa të çuditshme me gjashtë krahë, këmbë, sy dhe inteligjencë. Ata nuk shfaqen më kurrë në Bibël – të paktën jo me emrin serafin. Duke marrë parasysh madhështinë e skenës dhe fuqinë e ushtrive engjëllore, do ishte mirë të mos mendonim për bebe bullafiqe me krahë që fluturojnë përreth veshëve të Zotit. Sipas vargut 4, kur një prej tyre flet, themelet e tempullit lëkunden. Do bënim më mirë të mendonim për Engjëjt Blu që lëshohen në formacion para grupit presidencial dhe që thyejnë barrierën e zërit para fytyrës së tij. Ata nuk janë krijesa qesharake apo të vockla në qiell. Ka vetëm të madhërishëm.
Ideja është kjo, jo vetëm që ata mund të shohin Zotin por as që ndihen të denjë edhe për t'i lënë këmbët e tyre të pambuluara në praninë e tij. Ata janë madhështorë dhe të mirë, të papërlyer prej mëkatit njerëzor, ata i druhen Krijuesit të tyre me një përulësi të madhe. Një engjëll e tmerron njeriun me shkëlqimin dhe fuqinë e vet. Por vetë engjëjt fshihen me frikë dhe druajtje të shenjtë nga shkëlqimi i Perëndisë. Sa më tepër do të dridhemi dhe druhemi në praninë e tij ne që nuk durojmë dot as shkëlqimin e engjëjve të tij!
6. Perëndia është i Shenjtë
Së gjashti, Perëndia është i shenjtë. “Njëri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij"”. A ju kujtohet sesi Ripiçipi, miu guximtar, në fund të filmit Shkelësi i Agimit lundroi deri në fund të botës me varkëzën e tij të vogël? Fjala “i shenjtë” është ajo varkë e vogël në të cilën arrijmë fundin e botës në oqeanin e gjuhës. Mundësitë e gjuhës për të mbartur kuptimin e Perëndisë më në fund shterin dhe derdhen matanë buzës së botës në një të panjohur të madhe. “Shenjtëria” na çon deri në buzë, dhe nga aty e më tej përjetimi i Perëndisë është i papërshkrueshëm nga fjalët.
Arsyeja përse e them këtë është se çdo përpjekje për të përkufizuar shenjtërinë e Perëndisë më në fund përfundon duke thënë: Perëndia është i shenjtë do të thotë që Perëndia është Perëndi. Më lejoni ta ilustroj këtë gjë. Kuptimi bazë i fjalës i shenjtë ka të ngjarë që është të presësh apo të ndash. Një gjë e shenjtë është e prerë dhe e veçuar prej përdorimit të zakonshëm (ne do të thoshim laik). Gjërat dhe personat tokësorë janë të shenjtë ndërsa dallohen prej botës dhe i kushtohen Perëndisë. Prandaj Bibla flet për tokë të shenjtë (Eksodi 3:5), mbledhjet e shenjta (Eksodi 12:16), të shtunat e shenjta (Eksodi 16:23), një komb i shenjtë (Eksodi 19:6), veshjet e shenjta (Eksodi 28:2), një qytet i shenjtë (Nehemia 11:1), premtime të shenjta (Psalmi 105:42), njerëz të shenjtë (2 Pjetri 1:21) dhe gratë e shenjta (1 Pjetri 3:5), shkrimet e shenjta (2 Timoteu 3:15), duar të shenjta (1 Timtoteu 2:8), puthje e shenjtë (Romakëve 16:16), dhe një mësim i shenjtë (Juda 20). Pothuaj çdo gjë mund të bëhet e shenjtë nëse veçohet prej të zakonshmes dhe i kushtohet Perëndisë.
Por vini re çfarë ndodh kur ky përkufizim zbatohet për vetë Perëndinë. Prej çfarë gjëje mund ta ndash Perëndinë që ta bësh të shenjtë? Vetë të qenurit perëndi për Perëndinë do të thotë që ai është i veçuar prej gjithçkaje që nuk është Perëndi. Ka një ndryshim të pafundëm cilësor mes Krijuesit dhe krijesës. Perëndia i vetmi i llojit të tij. Në një grup i vetëm. Në atë kuptim ai është plotësisht i shenjtë. Por pastaj nuk keni thënë asgjë më tepër se ai është Perëndi.
Apo, nëse shenjtëria e njeriut rrjedhë prej të qenurit i veçuar nga bota dhe i kushtuar Perëndisë, kujt i është kushtuar Perëndia në mënyrë që të marrë shenjtërinë e vet? Askujt përveç vetes. Është blasfemi të thuash se ka një realitet më të lartë se Perëndia me të cilin ai duhet të përshtatet në mënyrë që të jetë i shenjtë. Perëndia është realiteti absolut përtej të cilit ka vetëm më tepër prej Perëndisë. Kur pyetet për emrin e tij tek Eksodi 3:14, ai tha, “Unë jam ai që jam.” Qënia dhe karakteri i tij janë krejtësisht të papërcaktuar nga ndonjë gjë jashtë vetes së tij. Ai nuk është i shenjtë për shkak se zbaton rregullat. Ai i shkroi rregullat! Perëndia nuk është i shenjtë për shkak se zbaton ligjin. Ligji është i shenjtë për shkak se zbulon Perëndinë. Perëndia është absolut. Gjithçka tjetër rrjedh prej kësaj.
Çfarë është atëherë shenjtëria e tij? Dëgjoni tre tekste. 1 Samueli 2:2, “Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër vëç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.” Isaia 40:25, “"Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baraz me të?", thotë i Shenjti.” Osea 11:9, “Sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.” (Krahaso Levitiku 19:2 dhe 20:7. Vini re strukturën paralele të Isaia 5:16). Ai është i pakrahasueshëm. Shenjtëria e tij është thelbi i tij hyjnor krejtësisht unik. Kjo përcakton gjithë sa është dhe bën dhe kjo nuk përcaktohet prej askujt. Shenjtëria e tij është çfarë ai është si Perëndi gjë që nuk është dhe nuk do të jetë askush tjetër. Quajeni këtë madhështinë e tij, hyjninë e tij, madhështinë e tij, vlerën e tij si margaritari shumë i çmuar. Në fund të fundit gjuha na lë në baltë. Në fjalën “i shenjtë” kemi lundruar deri në fund të botës në heshtjen e plotë të drojës, mrekullisë dhe mahnisë. Ende mund të ketë më tepër të njohur nga Perëndia, por kjo do të ishte përtej fjalëve. “Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.” (Habakuku 2:20).
7. Perëndia është i Lavdishëm
Por përpara heshtjes, tronditjes së themeleve dhe tymit që mbulonte gjithçka mësojmë një gjë të shtatë dhe finale rreth Perëndisë. Perëndia është i lavdishëm. "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij." Lavdia e Perëndisë është manifestimi i shenjtërisë së tij. Shenjtëria e Perëndisë është përsosmëria e pakrahasueshme e natyrës së tij hyjnore; lavdia e tij është shfaqja e shenjtërisë së tij. “Perëndia është i lavdishëm” do të thotë që shenjtëria e Perëndisë është bërë publike. Lavdia e tij është zbulesa e hapur e sekretit të shenjtërisë së tij. Tek Levitiku 10:3 Perëndia thotë, “Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlëvduar përpara tërë popullit.” Kur Perëndia e tregon veten se është i shenjtë, ajo që shohim është lavdia e tij. Shenjtëria e Perëndisë është lavdia e tij e fshehur. Lavdia e Perëndisë është shenjtëria e tij e zbuluar.
Kur Serafinët thonë, “Tërë toka është plot me lavdinë e tij,” është për shkak se nga lartësitë e qiellit mund të shohësh fundin e botës. Nga këtu poshtë pamja e lavdisë së Perëndisë është e kufizuar. Por ajo është e kufizuar më së shumti prej preferencave tona të marra për lavdi false. Nëse përdorim një shembëlltyrë të Soren Kirkegardit, ne jemi si njerëzit që udhëtojmë me karrocë natën nëpër fshatra për të parë lavdinë e Perëndisë. Por sipër nesh në të dyja krahët e sediljes së karrocës ka një fener me gas. Për aq kohë sa koka jonë është e rrethuar prej kësaj drite artificiale, qielli sipër nesh është i zbrazur prej lavdisë. Por nëse një fllad i hirshëm i Frymës i fik dritat tona tokësore, atëherë në errësirën tonë qiejt e Perëndisë mbushen me yje.
Një ditë Perëndia do të largojë tej çdo lavdi konkuruese dhe do ta bëjë shenjtërinë e tij të njohur në një shkëlqim të mahnitshëm ndaj çdo krijese të përulur. Por nuk ka nevojë të presim. Jobi, Isaia, Çarls Kolson dhe shumë prej jush e keni përulur veten për të ndjekur Perëndinë e Shenjtë dhe keni zhvilluar një oreks për madhështinë e tij. Ndaj jush gjithë atyre të tjerëve që kanë nisur ta ndiejnë këtë, po ju jap këtë premtim nga Perëndia, i cili është përherë i gjallë, autoritar, i gjithëfuqishëm, i shkëlqyer, i druajtur, i shenjtë dhe i lavdishëm, “Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t'ju kënaq. Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.” (Jeremia 29:12-13).