Perëndia drejtësoi të paudhët
Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit. Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit. Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit. A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit. Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin. Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t'u lëvduar. 3 Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? "Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi". Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: "Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin".
Lartësimi i Drejtësisë së Perëndisë
Javën e fundit u përpoqa t'ju tregoja problemin më të thellë që u zgjidh prej vdekjes së Krishtit, i cili ishte që vetë Perëndia dukej si i padrejtë kur anashkaloi aq shumë mëkate që meritonin ndëshkim. Gjithë Dhjata e Vjetër është një dëshmi për të vërtetën që Perëndia është “ i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin” (Eksodi 34:6-7).
Ashtu si thashë, ne nuk do ta ndiejmë kurrë vërtet këtë problem derisa të kemi Perëndinë në qendrën përsa i përket mënyrës që mendojmë për mëkatin dhe drejtësinë.
Mëkati (Romakëve 3:23) nuk është më së pari një krim kundër njeriut. Ai është një krim kundër Perëndisë. “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.” Mëkati është gjithmonë vlerësimi i diçkaje në botë më tepër se Perëndinë. Mëkati është përçmim i lavdisë së tij. Është çnderim i emrit të tij.
Por drejtësia e Perëndisë është përkushtimi i tij për të bërë atë që në fund të fundit është e drejtë – që të lartësojë nderin e emrit të tij dhe vlerën e lavdisë së tij. Drejtësia është e kundërta e mëkatit. Mëkati përçmon vlerën e Perëndisë duke zgjedhur kundër tij; drejtësia lartëson vlerën e Perëndisë duke zgjedhur për të.
Prandaj kur Perëndia kalon tej mëkatit dhe e lë mëkatarin të lirë pa një ndëshkim të drejtë, ai duket se është i padrejtë. Ai duket se po thotë, përçmimi i vlerës sime nuk është i rëndësishëm, përçmimi i lavdisë time nuk është i rëndësishëm, çnderimi i emrit tim nuk ka rëndësi. Nëse kjo do ishte e vërtetë, Perëndia do ishte i padrejtë. Dhe ne nuk do kishim shpresë.
Por Perëndia nuk e lejoi që kjo të ishte e vërtetë. Perëndia ofroi Birin e tij, Jezu Krishtin, në mënyrë që përmes vdekjes ai të mund të demonstrojë që Perëndia është i drejtë. Vdekja e Birit të Perëndisë është një deklaratë për vlerën që Perëndia i jep lavdisë së tij, urrejtjen që ka për mëkatin dhe dashurinë që ka për mëkatarët.
Drejtësimi i të Pabesit
Një fjalë tjetër për këtë falje të mëkatit që e bëri Perëndinë të duket i padrejtë është “drejtësimi” - drejtësimi i të pabesit (Romakëve 4:5). Për këtë gjë dua të flas sot. Jo vetëm për faktin që Perëndia fali mëkatet e kryera shumë kohë më parë, por ai fali mëkatet e popullit të tij, ato që bëmë dje, këtë mëngjes dhe ato që do të bëjmë nesër.
Vargu 26 thotë që kur Jezusi vdiq, ndodhën dy gjëra dhe jo thjesht një. “Për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin.” Perëndia tregohet i drejtë dhe besimtarët drejtësohen.
Sot nuk dua të fokusohem në veprimin subjektiv të besimit përmes të cilit marrim drejtësimin. Dëshiroj të fokusohem në punën objektive të Perëndisë në drejtësim. Kjo për shkak se mendoj që nëse fokusohemi në këtë vepër madhështore – në atë që Perëndia bën në vend të asaj që ne bëjmë – do të zbulojmë që besimi për ta pranuar do të gufojë në zemrën tonë.
Le të shohim katër gjëra rreth kuptimit të drejtësimit për ata që pranojnë dhuratën përmes besimit në Jezusin.
1. Të falur për gjithë mëkatet tona
Së pari, të drejtësohemi do të thotë që të na falen të gjitha mëkatet tona.
Të gjitha mëkatet – Të shkuara, të tashme, të ardhme
Shihni Romakëve 4:5-8 ku Pali po shpjegon të vërtetën e drejtësimit duke cituar Dhjatën e Vjetër.
ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. 6 Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: 7 "Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. 8 Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin"
Kjo gjendet në thelb të drejtësimit. Çmojini këto tre fraza madhështore nga vargjet 7-8, “paudhësitë janë falur,” “mëkatet janë mbulura,” dhe “Zoti nuk na e numëron mëkatin kundër nesh”. Vini re që Pali nuk e kufizon faljen tek mëkatet që kryem para se të besonim – sikur mëkatet e shkuara ju janë falur por e ardhmja nuk i dihet. Nuk përmendet asnjë kufizim i tillë.
Bekimi i drejtësimit është që paudhësitë janë falur, mëkatet janë mbuluar dhe “Zoti nuk do ta numërojë mëkatin kundër nesh.” Kjo është deklaruar në një mënyrë tepër absolute dhe pa cilësime.
Për shkak se Krishti mbarti mëkatet dhe fajin tonë
Si mund ta bëjë ai këtë? Romakëve 3:24 thotë që ne drejtësohemi “nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.” Ajo fjalë “shpengim” do të thotë çlirimi, zgjidhje, apo lirim nga ndonjë zgjedhë apo burgim. Prandaj ideja është që kur Jezusi vdiq për ne, ai na çliroi prej burgimit të mëkateve tona. Ai i theu prangat e fajit që na mbanin nën dënim.
Pali thotë tek Galatasve 3:13 që, “ Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne.” Pjetri thotë (tek 1Pjetri 2:24), “ Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit.” Isaia tha, “ Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” (53:6).
Prandaj drejtësimi – falja e mëkateve – vjen tek ne për shkak se Krishti mbarti mëkatet tona, mbarti mallkimin tonë, mbarti fajin tonë dhe kështu na liroi nga dënimi. Ky është kuptimi i faktit që jemi drejtësuar “përmes shpengimit që është në Krishtin Jezus.” Ne jemi çliruar prej ndëshkimit të tyre për shkak se atë ndëshkim e mori ai.
Krishti vuajti vetëm një herë
Vini re këtë, ai vuajti vetëm një herë. Ai nuk sakrifikohet herë pas here në Darkën e Zotit apo Meshë, a thua se sakrifica e tij e parë nuk ishte e mjaftueshme. Hebrenjve 9:26 thotë se “ kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve...” (krahaso me Hebrenjve 9:27). Dhe sërish tek 9:12 thuhet, “hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.” Kjo është jashtëzakonisht kritike në mënyrë që të shohim lavdinë e asaj që Perëndia bëri për ne në kryq.
A e dalloni lidhjen mes vdekjes një herë e përgjithmonë të Krishtit dhe tërësisë së mëkateve tona dhe ato të popullit të Perëndisë? Nuk po flasim për disa mëkate, apo disa lloje të caktuara mëkati, apo vetëm për mëkatet e shkuara, por mëkatet dhe mëkatin në mënyrë absolute, të cilat Krishti i hoqi tej nga populli i tij.
Prandaj falja e drejtësimit është falja e gjithë mëkateve tona, të shkuara, të tashme dhe të ardhme. Kjo ndodhi kur Krishti vdiq.
2. Të numëruar të drejtë me një drejtësi të jashtme
Të drejtësuar do të thotë të numërohesh i drejtë me drejtësinë e Perëndisë që na llogaritet ne, apo që numërohet si e jona.
Nuk është se thjesht jemi falur dhe nuk kemi asnjë qëndrim para Perëndisë. Perëndia jo vetëm që heq tej mëkatin por gjithashtu na llogarit si të drejtë dhe na vendos në një pozitë të drejtë me veten. Ai na jep drejtësinë e tij.
Drejtësia e Perëndisë përmes besimit në Jezusin
Shihni vargjet 21-22. Në vargun 20 Pali sapo ka thënë që asnjë njeri nuk mund të drejtësohet përmes veprave të ligjit. Nuk mund të keni kurrë një qëndrim të drejtë me Perëndinë në bazë të përpjekjeve legaliste. Atëherë ai thotë (për të treguar sesi arrihet drejtësimi), “Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë.”
Prandaj, edhe pse askush nuk mund të drejtësohet përmes veprave të ligjit, ekziston një drejtësi e Perëndisë të cilën mund ta keni përmes besimit në Jezu Krishtin. Kjo është ajo që dua të them kur them se të jesh i drejtësuar do të thotë të numërohesh si i drejtë. Drejtësia e Perëndisë numërohet si e jona përmes besimit.
Kur Jezusi vdiq për të demonstruar drejtësinë e Perëndisë, ashtu si e pamë javën e kaluar në vargun 25-26, ai e bën atë drejtësi të disponueshme si dhuratë për mëkatarët. Sikur Krishti të mos kishte vdekur për të demonstruar se Perëndia është i drejtë kur fal mëkatet, e vetmja mënyrë sesi drejtësia e Perëndisë do ta tregonte veten është duke na dënuar ne. Por Krishti vdiq. Kështu drejtësia e Perëndisë tani nuk është një dënim por një dhuratë jete për të gjithë ata që besojnë.
2 Korintasve 5:21
2 Korintasve 5:21 është një prej pjesëve më marramendëse në lidhje me këtë dhuratë madhështore të drejtësisë së numëruar. “Sepse ai [Perëndia] bëri të jetë mëkat për ne ai [Krishti] që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”
Krishti nuk njohu mëkat. Ai ishte njeri i përsosur. Ai nuk mëkatoi kurrë. Ai jetoi në mënyrë të përsosur për lavdinë e Perëndisë gjithë jetën e tij dhe në vdekjen e tij. Ai ishte i drejtë. Ne nga ana tjetër kemi mëkatur të gjithë. Ne e kemi përçmuar lavdinë e Perëndisë. Ne jemi të paudhë.
Por Perëndia, që na zgjodhi në Krishtin Jezus para themelimit të botës, caktoi që të ndodhte një shkëmbim i mahnitshëm: Ai do ta bënte Krishtin të ishte mëkat – jo mëkatar, por mëkat – mëkatin tonë, fajin tonë, ndëshkimin tonë, largimin tonë prej Perëndisë, paudhësinë tonë. Ai do të merrte drejtësinë e Perëndisë, të cilën Krishti e kishte lartësuar në mënyrë aq të mahnitshme dhe do të na bënte ne ta mbanim, vishnim dhe zotëronim përmes mënyrës që Krishti veproi me mëkatin tonë.
Ideja këtu nuk është që nga ana morale Krishti u bë mëkatar dhe ne u bëmë të drejtë. Ideja është që Krishti mban mbi vete një mëkat të jashtëm dhe vuan për të, dhe ne mbajmë një drejtësi të jashtme dhe jetojmë përmes saj.
Drejtësimi pararend shenjtërimin
Sigurohuni që të shihni realitetin objektiv të kësaj gjëje jashtë vetes tonë. Ky nuk është ende realiteti i shenjtërimit – procesi aktual i të bërit të drejtë nga ana morale në mënyrën që mendojmë, ndjejmë dhe jetojmë. Edhe kjo është dhuratë (të cilën do ta shohim pas tre javësh). Por është e bazuar në këtë. Para se ndonjëri prej nesh të përjetojë përparim të vërtetë sipas ungjillit për të qenë pjesërisht të drejtë, duhet të besojmë se jemi numëruar plotësisht të drejtë. Apo për ta thënë në një mënyrë tjetër, i vetmi mëkat që mund të mposhtni në praktikë në fuqinë e Perëndisë është një mëkat i falur. Dhurata e madhe e drejtësimit pararend dhe aftëson procesin e shenjtërimit.
3. Të dashur prej Perëndisë dhe të trajtuar me hir
Të jesh i drejtësuar do të thotë të duhesh prej Perëndisë dhe të trajtohesh me hir.
Krishti vërteton masën e dashurisë së Perëndisë për ne
Nëse Perëndia nuk do të na donte, nuk do të kishte problem për të zgjidhur përmes vdekjes së Birit të tij. Ishte dashuria e tij për ju ajo që e bëri të falte mëkatin tuaj gjë e cila e bëri atë të dukej i padrejtë. Nëse ai nuk do t'ju donte, do ta kishte zgjidhur problemin e mëkatit thjesht duke na dënuar të gjithëve ne me shkatërrim. Kjo do ta kishte lartësuar drejtësinë e tij. Por ai nuk e bëri këtë. Dhe arsyeja është për shkak se ai ju do.
Kjo është tablloja shumë e bukur e Romakëve 5:6-8.
Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
Ajo që Perëndia po siguron në vdekjen e Birit të tij nuk është vetëm e vërteta e drejtësisë së tij, por gjithashtu edhe masa e dashurisë së tij.
Dhurata falas e Perëndisë
Tek Romakëve 3:24 Pali thotë që ne jemi drejtësuar “falas me anë të hirit të tij.” Dashuria e Perëndisë për mëkatarët tepëron në dhurata të hirit – këto janë dhurata që vijnë prej mirësisë së bollshme të Perëndisë dhe jo prej veprave apo meritave tona.
Falja e mëkateve dhe drejtësia e Perëndisë janë dhurata falas. Kjo do të thotë që nuk na kostojnë ne asgjë për shkak se i kostuan Krishtit gjithçka. Ato nuk mund të fitohen me vepra, të trashëgohen prej prindërve apo të thithen përmes sakramenteve. Ato janë falas, për t'u pranuar përmes besimit.
Romakëve 5:17 e thotë kështu:
Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës së drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishti.
Falja e mëkateve dhe drejtësia e Perëndisë janë dhurata falas të hirit që rrjedh prej dashurisë së Perëndisë.
Të drejtësohesh do të thotë të falesh, të numërohesh i drejtë, dhe të duhesh prej Perëndisë.
4. Të siguruar prej Perëndisë përjetë
Më së fundi, i drejtësuar do të thotë të jesh siguruar prej Perëndisë përjetë.
Ky është bekimi kurorëzues. Pali e shpall tek Romakëve 8:30, “ Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.”
Nëse jeni të drejtësuar do të përlëvdoheni. Do të arrini lavdinë e epokës që do të vijë dhe do të jetoni përgjithmonë me Perëndinë në gëzim dhe shenjtëri. Pse është kjo kaq e sigurt?
Është e sigurt për shkak se efekti i vdekjes së Birit të Perëndisë është objektiv, real, përfundimtar dhe i pamposhtur për popullin e Perëndisë. Atë që arrin e arrin përgjithmonë. Efekti i gjakut të Krishtit nuk është i dobët – Tani shpëton dhe tani humbet, tani shpëton dhe tani humbet.
Ky është mesazhi i vargut 32, “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” - kjo do të thotë, a nuk do të na përlëvdojë gjithashtu! Po! E njëjta sakrificë që siguroi drejtësimin tonë siguron përlëvdimin tonë.
Nëse këtë mëngjes qëndroni të drejtësuar, jeni përtej çdo akuze dhe dënimi. Vargu 33 thotë, “ Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson.” A e dalloni idenë, nëse Perëndia ju ka drejtësuar përmes vdekjes së Birit të tij, askush, në qiell, në tokë apo nën tokë, askush nuk mund t'ju akuzojë. Ju do të përlëvdoheni.
Pse? Për shkak se jeni të pamëkat? Jo. Për shkak se jeni shfajësuar përmes gjakut të Krishtit.