Mburrje vetëm në Kryqin
Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.
Nuk keni nevojë të dini shumë gjëra në mënyrë që jeta juaj të sjellë një ndryshim që zgjat në botë. Por keni nevojë të dini ato pak gjëra që kanë rëndësi dhe pastaj të jeni të gatshëm të jetoni për to dhe të vdisni për to. Njerëzit që sjellin një ndryshim që zgjat në botë nuk janë ata që kanë zotëruar shumë gjëra, por ata që janë zotëruar prej disa gjërave madhështore. Nëse dëshiron që jeta jote të vlejë, nëse dëshironi që efekti i valëve të ndikimit tuaj të arrijë skajet e tokës dhe të vazhdojë përgjatë shekujve në përjetësi, nuk keni nevojë të keni një herës të lartë inteligjence apo emocional, nuk keni nevojë të keni pamje të bukur apo pasuri, nuk nevojitet të vini prej një familjeje të përsosur apo shkolle të përsosur. Duhet të dini disa gjëra, madhështore, të pandryshueshme, të dukshme, të thjeshta, të lavdishme dhe të jeni në zjarr për to.
Por unë e di që jo të gjithë ju që jeni në këtë turmë dëshironi që jeta juaj të shkaktojë një ndryshim. Ka qindra nga ju që nuk e vrasin mendjen nëse sillni një ndryshim që zgjatë për diçka madhështore, ju thjesht dëshironi që njerëzit t'ju pëlqejnë. Nëse njerëzit do t'ju pëlqenin do ishit të kënaqur. Ose sikur të kishit një punë të mirë, një bashkëshorte të mirë dhe disa fëmijë të mirë, një makinë të mirë, fundjava të gjata dhe disa miq të mirë, një pension me argëtim, një vdekje të shpejtë dhe të lehtë, dhe t'i shëptoni ferrit, nëse mund t'i keni këto (minus Perëndinë) – do ishit të kënaqur. KJO është një tragjedi që po ndodh.
Para tre javësh morëm lajm në kishën tonë që Rubi Eliason dhe Laura Eduards u vranë që të dyja në Kamerun. Rubi ishte më shumë se 80 vjeçe. Beqare për gjithë jetën e saj, e derdhi veten për një gjë madhështore: Për ta bërë Jezu Krishtin të njohur mes popujve të paarritur, të varfërve dhe të sëmurëve. Laura ishte vejushë, doktoreshë, që po u afrohej të tetëdhjetave, duke shërbyer përkrah Rubit në Kamerun. Frenat nuk funksionuan dhe makina ra në greminë, që të dyja vdiqën në vend. I pyeta njerëzit në kishë, a ishte kjo tragjedi? Dy jetë, të shtyra prej një vizioni madhështor, të tretura në shërbim të patrumpetuar ndaj të varfërve që po humbin për lavdinë e Jezu Krishtit – dy dekada pasi pothuaj gjithë bashkëmoshatarët e tyre Amerikanë kanë dalë në pension për t'i hedhur jetët e tyre tej me argëtime në Florida apo Nju Meksiko. Jo. Kjo nuk është tragjedi. Kjo është lavdi.
Do t'ju tregoj çfarë është tragjedia. Do t'ju lexoj prej revistës Readers Digest (Shkurt 2000, faqja 98) se çfarë është tragjedi. “Bob dhe Peni...dolën herët në pension nga punët e tyre në Verilindje para pesë vjetësh kur ai ishte 59 dhe ajo 51. Tani ata jetojnë në Punta Gorda, Florida, ku shëtisin me makinën e tyre të kampingut 10 metra të gjatë, luajnë softboll dhe mbledhin guacka.” Ëndërra Amerikane, të arrish në fund të jetës – jetës tuaj të vetme – dhe vepra juaj e fundit madhështore para se t'i jepni llogari Krijuesit tuaj të jetë “Mblodha guacka. Shiko guackat e mia.” KJO është tragjedi. Njerëzit sot po harxhojnë miliarda dollarë për t'ju bindur juve që të përqafoni atë ëndërr tragjike. Kurse mua më jepen vetëm 40 minuta për t'ju përgjëruar juve që të mos e përqafoni.
Mos e çoni dëm jetën tuaj. Ajo është shumë e shkurtër dhe tepër e çmuar. U rrita në një shtëpi ku babai im e treti veten si ungjilltar për ta çuar ungjillin e Jezu Krishtit tek të humburit. Ai kishte një vizion përvëlues: Prediko ungjillin. Në kuzhinën tonë kishte një pllakatë ndërsa po rriteshim. Tani ajo gjendet në dhomën time të ndënjes. E kam parë pothuaj përditë për rreth 48 vjet. Pllakata thotë, “Vetëm një jetë, shumë shpejt do të mbarojë. Vetëm ajo që bëhet për Krishtin do të qëndrojë.”
Unë jam këtu në konferencën OneDay në një farë kuptimi si at. Jam 54 vjeç. Kam katër djem dhe një vajzë: Karsten është 27, Benjamini 24, Abrahami 20, Barnaba 17. Talitha është katër vjeç. Pak gjëra janë ato që më mbushin me më tepër dëshirë këto muaj dhe vite se dëshira që djemtë e mi të mos e harxhojnë jetën e tyre në suksese fatale.
Prandaj ju shoh si bij dhe bija dhe po ju përgjërohem si një baba – ndoshta si babai që nuk e patët kurrë. Apo babai që nuk pati kurrë një vizion për ju siç e kam unë, si vizioni që Perëndia ka për ju. Apo ndoshta babai që KA një vizion për ju, por i cili ka të bëjë vetëm me paranë dhe statusin, ju shoh si bij dhe bija dhe ju përgjërohem. Dëshironi që jeta juaj të vlejë për diçka madhështore dhe për përjetësinë. Dëshirojeni këtë gjë. Mos shkoni andej këndej në jetë pa një pasion.
Një prej arsyeve që më ka pëlqyer vizioni i konferencave Passion 98, Passion 99 dhe OneDay është që deklarata 268 tregon shumë qartë qëllimin e jetës time. Kjo deklaratë bazohet tek Isaia 26:8. “Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.” Këtu nuk kemi thjesht një trup por edhe një shpirt. Jo thjesht një shpirt, por një shpirt me një pasion dhe një dëshirë. Nuk kemi thjesht një dëshirë që të të pëlqejnë, për të luajtur softboll dhe për të mbledhur guacka, këtu kemi një dëshirë për diçka pafundësisht më të madhe, pafundësisht më të bukur, pafundësisht më të vlefshme, pafundësisht më të kënaqshme – Emri dhe lavdia e Perëndisë - “Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.” Për këtë gjë jetoj dhe dëshiroj të përjetoj. Deklarata e misionit të jetës time dhe të kishës ku shërbej është, “Ne ekzistojmë – unë ekzistoj – për të përhapur një pasion për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë kombeve.”
Nuk ka pse ta thoni si e them unë. Nuk ka pse ta thoni si e thotë Lui Giglio (apo Beth Mur, ose Vodi Bukam).
Por çfarëdo që të bëni, gjeni pasionin dhe mënyrën tuaj për ta thënë, jetoni për të dhe vdisni për të. Kështu do të sillni një ndryshim që zgjat. Do të jeni si apostulli Pal. Askush nuk kishte një vizion kaq të qartë për jetën e vet sa kishte Pali. Ai mund ta thoshte në mënyra të ndryshme.
“Por unë nuk dua t'ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.” (Veprat 20:24).
Një gjë ka rëndësi, Të mbaroj vrapimin.
“Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin, dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,” (Filipianëve 3:7-8)
Si do t'ju ndihmoj? Si mund të përdorem prej Perëndisë në këtë moment në konferencën OneDay për të zgjuar në ju një pasion të vetëm për një realitet të vetëm madhështor që ka për t'ju çliruar prej ëndërrave të vogla dhe ka për t'ju dërguar deri në skajet e dheut?
Mendoj që përgjigja që Zoti më dha ishte: drejtoji ata tek një varg në Shkrim që është sa më afër qendrës që mund të jetë dhe tregoju përse Pali thotë atje atë që thotë. Vargu është Galatasve 6:14: “Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.”
Ose për ta thënë pozitivisht: Mburru vetëm në kryqin e Jezu Krishtit. Kjo është një ide e vetme. Një synim i vetëm. Një pasion i vetëm. Mburru vetëm në kryqin. Kjo fjalë mund të përkthehet edhe “lëvdohu” ose “ngazëllohu.” Lëvdohu vetëm në kryqin e Krishtit. Ngazëllohu vetëm në kryqin e Krishtit. Pali thotë, le të jetë ky pasioni juaj i vetëm, mburrja, gëzimi dhe lëvdimi juaj i vetëm. Në këtë moment madhështor të quajtur NJË DITË bëni që ajo NJË GJË që doni, ajo një gjë që çmoni, ajo një gjë në të cilën ngazëlloheni dhe lëvdoheni le të jetë kryqi i Jezu Krishtit.
Kjo është tronditëse për dy arsye.
1) Një është sikur të thuash: Mburru vetëm në karrigen elektrike. Lëvdohu vetëm në dhomat e helmit. Ngazëllohu vetëm në injeksionin vdekjeprurës. Mburrja juaj e vetme, gëzimi juaj i vetëm dhe lëvdimi juaj i vetëm le të jetë laku i litarit. “Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht.” Asnjë mënyrë ekzekutimi e shpikur ndonjëherë nuk ka qenë më katile dhe me agoni sesa gozhdimi në kryq. Ishte e tmerrshme. Nuk do të kishit mundësi ta shihnit – jo pa klithur, pa shkulur flokët dhe pa grisur rrobat. Le të jetë ky pasioni i vetëm i jetës suaj.
2) Kjo është ajo gjë tronditëse rreth fjalëve të Palit. Tjetra është që ai thotë kjo duhet të jetë e vetmja mburrje e jetës së tij. I vetmi gëzim. I vetmi lëvdim. “Mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht.”
Çfarë do të thotë ai me këtë gjë? Me të vërtetë? Asnjë mburrje tjetër? Asnjë lëvdim tjetër? Asnjë gëzim tjetër përveç kryqit të Jezusit – vdekjes së Jezusit?
Po për ato vende ku Pali vetë përdor të njëjtën fjalë “mburrje” apo “lëvdim” për gjëra të tjera? Për shumbull:
Romakëve 5:2, “mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë”
Romakëve 5:3, “mburremi edhe në shtrëngimet”
2 Korintasve 12:9, “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia.”
1 Thesalonikasve 2:19, “Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju?”
Prandaj nëse Pali mund të mburret dhe krenohet në gjithë këto gjëra, çfarë do të thotë ai nuk do të “mburrem me tjetër gjë, veç në kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht.”?
Çfarë do të thotë kjo? Mos po thotë dy gjëra të ndryshme? Krenohesh me një gjë dhe thua që po krenohesh me një tjetër? Jo. Ka një arsye shumë të thellë për ta thënë këtë – që gjithë krenimi, gjithë ngazëllimi, gjithë mburrja në ndonjë gjë duhet të jetë ngazëllim në kryqin e Jezu Krishtit.
Ai do të thotë që për të krishterët, gjithë mburrjet e tjera duhet të jenë një mburrje në kryqin. Çdo krenim me ndonjë gjë tjetër duhet të jetë krenim në kryqin. Nëse ngazëllohesh në shpresën e lavdisë duhet të ngazëllohesh në kryqin e Krishtit. Nëse mburresh në dobësinë tënde, apo në popullin e Perëndisë, duhet të mburresh në kryqin e Krishtit.
Përse është kështu? Për këtë arsye: për mëkatarët e shpenguar, çdo gjë e mirë – në fakt çdo gjë e keqe të cilën Perëndia e kthen për mirë – u fitua për ne përmes kryqit të Krishtit. Veçmas vdekjes së Krishtit, mëkatarët nuk marrin asgjë përveçse gjykim. Veçmas kryqit të Krishtit, ka vetëm dënim. Prandaj gjithçka që gëzoni në Krishtin si i krishterë, si një person që i beson Krishtit i detyrohet vdekjes së Krishtit. Gjithë ngazëllimi juaj në të gjitha gjërat si rrjedhim duhet të jetë ngazëllim në kryqin në të cilin u blenë të gjitha bekimet tuaja me çmimin e vdekjes së Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit.
Një prej arsyeve përse nuk jemi aq të përqendruar tek Krishti, aq të karakterizuar prej kryqit sa duhet të jemi është për shkak se nuk kemi kuptuar që gjithçka – gjithçka e mirë dhe gjithçka e keqe të cilën Perëndia e kthen për të mirën e fëmijëve të tij të shpenguar u ble prej vdekjes së Krishtit për ju. Ne thjesht e marrim jetën, frymëmarrjen, shendetin, miqtë dhe gjithçka tjetër si të mirëqëna. Mendojmë se është e drejta jonë t'i kemi. Por fakti është që nuk është e drejta jonë.
Ne jemi dyfish mosmeritues.
1) Ne jemi krijesa dhe Krijuesi ynë nuk ishte i detyruar të na jepte ndonjë gjë – as jetë, as shëndet as ndonjë gjë tjetër. Ai jep, ai merr, dhe nuk na bën padrejtësi.
2) Përveç faktit që jemi krijesa pa asnjë të drejtë karshi Krijuesit tonë, ne jemi mëkatarë. Ne kemi rënë nga lavdia e tij. E kemi injoruar atë, nuk i jemi bindur, kemi dështuar ta duam dhe t'i besojmë atij. Zemërimi i drejtësisë së tij është ndezur kundër nesh. Gjithë sa meritojmë prej tij është gjykimi. Prandaj çdo frymëmarrje, çdo rrahje zemre, çdo ditë që dielli lind, çdo moment që shohim me sytë tanë apo dëgjojmë me veshët tanë, flasim me gojën tonë apo ecim me këmbët tona është një dhuarë falas dhe e pamerituar ndaj mëkatarësh që meritojnë vetëm gjykim.
Kush i bleu këto dhurata për ne? Jezu Krishti. Si i bleu ai këto dhurata? Përmes gjakut të tij.
Çdo bekim në jetë ka për qëllim të lartësojë kryqin e Krishtit, ose për ta thënë në një mënyrë tjetër, çdo gjë e mirë në jetë ka për qëllim të madhërojë Krishtin, dhe atë të kryqëzuar. Prandaj, për shembull, javën e shkuar e prishëm keq makinën tonë Dodge Spirit të vitit 1991, por askush nuk u lëndua. Prandaj krenohem me sigurinë, me këtë lëvdohem. Por përse nuk u lëndua askush? Ishte dhuratë për mua dhe familjen time të cilën askush nuk e meriton. Ne jemi mëkatarë dhe prej natyre jemi bij të zemërimit, ndaraz nga Krishti. Si pra u bë e mundur që të merrnim një dhuratë të tillë për të mirën tonë? Përgjigjia: Krishti vdiq për mëkatet tona në kryq, ai largoi zemërimin e Perëndisë prej nesh, dhe edhe pse nuk e meritojmë siguroi për ne hirin e gjithëpushtetshëm të Perëndisë që bën që gjithçka të bashkëveprojë për të mirën tonë. Prandaj kur krenohem në sigurinë tonë po krenohem në kryqin e Krishtit.
Kompania e sigurimit na pagoi 2800 $ për makinën dhe Noela shkoi ne Ajoua, bleu nje Shevi Lumina te vitit 1992 dhe e solli ketu kur rruga ishte mbuluar nga bora. Tani kemi sërish një makinë. Unë krenohem me hirin e mahnitshëm të një bollëku të tillë. Kështu ndodhi. Prish makinën. Askush nuk plagoset. Siguracioni paguan. Merr një makinë tjetër. Dhe jeta vazhdon pothuaj sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Me falenderim ul kokën dhe mburrem me mëshirat e jashtëzakonshme edhe për ato gjëra të vogla materiale. Nga vijnë të gjitha këto mëshira? Nëse je një mëkatar i shpëtuar, një besimtar në Jezusin, ato vijnë përmes kryqit. Veçmas kryqit, ka vetëm gjykim – durim dhe mëshirë për një stinë, por pastaj, nëse përbuzen, e gjithë ajo mëshirë shërben vetëm për të intensifikuar gjykimin. Prandaj çdo dhuratë është një dhuratë e blerë me gjak. Gjithë mburrja – gjithë lëvdimi – është mburrje në kryqin.
Mjerë unë nëse mburrem me ndonjë bekim nëse mburrja ime nuk është në kryqin e Krishtit. Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është që projektimi i kryqit është lavdia e Krishtit. Synimi i Perëndisë në kryq është që Krishti të nderohet. Kur Pali thotë tek Galatasve 6:14, “Mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht.” ai po thotë që vullneti i Perëndisë është që kryqi të lartësohet gjithmonë – që Krishti i kryqëzuar të jetë gjithmonë mburrja, lëvdimi, krenimi dhe gëzimi ynë – që Krishti të marrë lavdi, falenderim dhe nder nga çdo gjë e mirë në jetën tonë – dhe nga çdo gjë e keqe të cilën Perëndia do ta kthejë për mirë.
Por tani ja ku keni një pyetje: Nëse ky është synimi i Perëndisë në vdekjen e Krishtit – dmth që “Krishti i kryqëzuar” të nderohet dhe lëvdohet për të gjitha gjërat, atëherë si do ta marrë Krishti lavdinë që meriton? Përgjigjia është kjo që fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve duhet t'u mësohet që këto gjëra janë kështu. Apo për ta thënë në një mënyrë tjetër: burimi i krenimit në kryqin e Krishtit është edukimi për kryqin e Krishtit.
Kjo është puna ime: të fitoj lavdi për Jezusin duke jua mësuar juve këto gjëra. Pastaj puna juaj është të fitoni më tepër lavdi për Jezusin duke vepruar sipas tyre dhe duke ua mësuar edhe më shumë njerëzve të tjerë. Edukimi për Jezusin është për mburrje në Jezusin. Nëse duam që të mos ketë mburrje përveçse në kryq, atëherë duhet të ndjekim edukimin rreth kryqit – dhe poshtë kryqit.
Ose ndoshta duhet të themi, “në kryq”. Edukimi në kryq do na çojë tek mburrja për kryqin. Çfarë dua të them?
Shihni vargun 14, “Mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.” Mburrja në kryqin ndodh kur je në kryq. A nuk thotë këtë vargu 14? Bota është kryqëzuar tek unë edhe unë tek bota. Bota është e vdekur për mua, dhe unë jam i vdekur për botën. Pse? Për shkak se jam kryqëzuar. Ne mësojmë të mburremi në kryqin dhe të lëvdohemi në kryqin kur jemi në kryq.
Çfarë do të thotë kjo? Kur ndodhi kjo gjë? Kur u kryqëzuat ju? Përgjigjia është tek Galatasve 2:20, “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” Kur Krishti vdiq, ne vdiqëm. Kuptimi i lavdishëm i vdekjes së Krishtit është që kur ai vdiq, të gjithë ata që i përkasin atij vdiqën në të. Kjo vdekje, që ai e përjetoi për të gjithë ne, bëhet vdekja jonë kur bashkohemi me Krishtin përmes besimit.
Por ju mund të thoni, “A nuk jam gjallë? Ndihem i gjallë.” Mirë, ja ku kemi një nevojë për edukim. Duhet të mësojmë çfarë na ndodhi. Duhet të na i mësojnë këto gjëra. Kjo është arsyeja përse Galatasve 2:20 dhe 6:14 gjenden në Bibël. Perëndia po na mëson çfarë na ndodhi, në mënyrë që të njohim veten, të njohim mënyrën si ai punon me ne dhe të mburremi në të dhe në Birin e tij, të mburremi në kryq ashtu si duhet.
Prandaj e lexojmë Galatasve 2:20 sërish për ta parë këtë gjë. Po, jemi të vdekur dhe po jemi të gjallë. “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin [unë pra jam i vdekur dhe ai vazhdon] dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; [pse? Për shkak se unë vdiqa, që do të thotë se vetja ime e vjetër, rebele, mosbesuese vdiq, dhe vazhdon më tej] dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, [dmth, Po unë jetoj. Por nuk është i njëjti 'un' si 'uni' që vdiq] e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” Me fjalë të tjera “Uni” që jeton është “Uni” i ri i besimit. Krijesa e re jeton. Besimtari jeton. Vetja e vjetër vdiq në kryq me Jezusin.
Dhe nëse pyesni, “Cili është çelësi për t'u lidhur me këtë realitet? Si mund të jetë kjo gjë imja? Përgjigjia nënkuptohet tek fjalët rreth besimit tek Galatasve 2:20, “jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë.” Kjo është lidhja. Perëndia ju lidh me Birin e tij përmes besimit. Kur e bën këtë gjë ndodh një bashkim me Birin e Perëndisë kështu vdekja e tij bëhet vdekja juaj dhe jeta e tij bëhet jeta juaj. Tani të gjithën këtë lidheni me Galatasve 6:14, “Mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.” Mos u mburrni në asnjë gjë përveç kryqit.
Si mund të bëhem aq radikalisht i përqëndruar tek kryqi – në mënyrë që gjithë mburrja ime të mund të kthehet sërish tek kryqi? Përgjigjia: kupto që kur Krishti vdiq në kryq, ti vdiqe, dhe kur i besove atij, ajo vdekje pati efekt në jetën tënde. Pali thotë, kjo është vdekja jote ndaj botës dhe vdekja e botës ndaj teje.
Kjo do të thotë, kur e vendos besimin në Krishtin, zgjedha jote me botën thyhet, joshja tepër e fuqishme e botës thyhet. Tani je një kufomë për botën, dhe bota është një kufomë për ty. Ose për ta thënë në mënyrë pozitive, sipas vargut 15, ti je një “krijesë e re”. Vetja jote e vjetër ka vdekur. Një un i ri jeton. Dhe vetja juaj e re është vetja e besimit. Ajo në të cilën besimi mburret NUK është bota por Krishti, në mënyrë të veçantë Krishti i kryqëzuar.
Kjo është mënyra si bëheni të përqëndruar tek kryqi saqë thoni bashkë me Palin, “Nuk do të mburrem me asgjë tjetër përveçse në kryqin e Zotit Jezu Krisht.” Bota nuk është më thesari im. Nuk është burimi i jetës time, nuk është kënaqësia dhe gëzimi im. Krishti është.
Po siguria gjatë aksidentit me makinë? Po lekët e siguracionit? A nuk thatë që ishit të lumtur për këto? A nuk janë këto bota? A je i vdekur ndaj botës?
Mund të jem. Kështu shpresoj. Për shkak se të jesh i vdekur ndaj botës nuk do të thotë të dalësh jashtë botës. Nuk do të thotë të mos ndjesh gjëra për botën – disa negative dhe disa pozitive (1 Gjoni 2:15, 1 Timoteu 4:3). Do të thotë që çdo kënaqësi e ligjshme në botë bëhet provë e dashurisë së Krishtit, e blerë prej gjakut të tij, dhe një mundësi për t'u mburrur në kryqin. Ne jemi të vdekur për shpërblimet e siguracionit kur paraja nuk është ajo që na kënaq, por Krishti i kryqëzuar, Dhuruesi na kënaq. Kur zemrat tona vrapojnë pas, përgjatë rrezes së bekimit tek burimi që është kryqi, atëherë lidhja e bekimit me botën është e vdekur dhe Krishti i kryqëzuar është gjithçka.
Ky është synimi i edukimit për krenim – në kryqin. Oh dhëntë Perëndia që të ëndërrojmë, planifikojmë, punojmë, japim, mësojmë dhe jetojmë për lavdinë e Krishtit, dhe atë të kryqëzuar!